Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, mirëpriti vendimin e serbëve në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kornizën ligjore për të mbledhur nënshkrime për peticionin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.
Ai u bëri thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore që t’iu ofrojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm grupeve nismëtare që të iniciojnë peticionin edhe në dy komunat e tjera në veri të Kosovës Zveçan dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq më 17 janar nisi mbledhja e nënshkrimeve, ndërsa turma e njerëzve e nisur drejt vendeve ku po mblidheshin nënshkrimet për peticionin u udhëhoq nga zyrtarët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Mbledhja e nënshkrimeve ka vazhduar edhe më 18 janar.
“Mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës, mbetet e rëndësishme”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
I urge the Kosovo authorities at central and local level to provide all necessary documentation & allow the groups of citizens to initiate the collection of signatures also in Zubin Potok and in Zvečan/Zveçan (2/3).
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) January 18, 2024
Peticioni për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë vjen pasi serbët bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura prillin e vitit të kaluar, përmes së cilave u zgjodhën kryetarët shqiptarë.
Popullsia serbe në veri nuk i pranoi kryetarët shqiptarë dhe pasuan krizat të përcjella me rritjen e tensioneve.
Më pas, komuniteti ndërkombëtar kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kërkesë që u pranua nga Qeveria e Kosovës, e cila në shtator të vitit 2023 miratoi një udhëzim administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarit të komunës.
Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në komunat përkatëse.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që peticioni të jetë i suksesshëm, që më pas do t’i hapte rrugë shkarkimit të kryetarëve, në Mitrovicë të Veriut duhet të mblidhen të paktën 3.640 nënshkrime, në Leposaviq 2.689, në Zubin Potok 1.347 dhe në Zveçan 1.411 nënshkrime.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar javën e kaluar se qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë afat që deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet. Ndërkaq, ky afat do të jetë më i gjatë për pesë ditë për qytetarët e Zveçanit, pasi që në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të marrë listën me numrin e saktë të votuesve të regjistruar në këtë komunë.
Nëse KQZ-ja konfirmon rezultatin e peticionit, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, që duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor nga 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Marrja e mandatit nga kryetarët e rinj shqiptarë rriti tensionet në veri majin e vitit të kaluar dhe në Zveçan situata u përshkallëzua, pasi që serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar shtensionimin e situatës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri./REL
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...