Google ADS

Nga lëndimi që e mbajti jashtë për pesë muaj e deri tek debutimi madhështor me Vëllaznimin, ‘luftëtari’ Daniel Lekndreaj me rrëfim emocional

16:33 | 17 Janar 2024
KRG

Shkathtësia, karakteri i fortë dhe pasioni i madh për basketbollin e karakterizojnë basketbollistin shkodran Daniel Lekndreaj.

Pavarësisht sfidave të shumta në karrierën e tij e disa lëndime që e mbajtën gjatë jashtë parketit, Lekndreaj nuk u dorëzua dhe po vazhdon të tregoj cilësitë e tij që ka për basketboll.

Gjatë merkatos së janarit në basketbollin kosovar shkodrani arriti marrëveshje me skuadrën e Vëllaznimit për të vazhduar pjesën e mbetur të sezonit.

Teksa vikendin që lamë pas u rikthye nga lëndimi, i cili e mbajti jashtë fushës për rreth pesë muaj.

27-vjeçari ishte një prej lojtarëve kyç në fitoren e Vëllaznimit ndaj skuadrës së Prizrenit, pas një serie prej tri ndeshje të humbura në elitën e basketbollit kosovar.

Në një intervistë për Arbresh.info, Daniel Lekndreaj tregoi arritjen e marrëveshjes me skuadrën e Vëllaznimit vështirësitë që kaloi gjatë lëndimit të tij, fazën e rikuperimit të tij e shumëçka tjetër.

Lekndreaj më herët ka qenë pjesë e Sigal Prishtinës gjatë sezonit vjeshtor, por që nuk ka mundur të zhvilloj asnjë minutë lojë për arsye të një lëndimi që pësoi në fazën e kualifikimeve për “EuroBasket 2025” me kombëtaren e Shqipërisë.

Shkodrani tregoi se Vëllaznimi ka kohë që interesohet për shërbimet e tij dhe pas një kontakti nga skuadra nga gjakova, gjetën një marrëveshje mes dy klubeve kosovare.

“Ka kohë që më ndjek klubi i Vëllaznimit por që pas kontaktit të klubit me agjentin tim javë më parë dhe negociatave tre palshe të zhvilluara me Sigal Prishtinën dhe agjentin për disa ditë rresht, është arritur marrëveshja për të cilën unë dhashë miratimin tim paraprakë dhe me plotë dëshirë dhe respekt për klubin, objektivat dhe pashmangshmërisht tifozët e flaktë që për mua mbesin “kuq e zi””, tha fillimisht Daniel Lekndreaj.

Lekndreaj tutje ka folur për objektivat e skuadrës së Vëllaznimit ku synon të arrijnë sa më lartë në Kupën e Kosovës dhe në fazën më të zjarrtë të sezonit Play-offin e basketbollit kosovar.

Ai beson se Vëllaznimi do të jetë një ‘arrë e fortë’ për të gjithë kundërshtarët duke pasur parasysh rosterin e skuadrës.

“Siç mund ta dini, nuk është se preferoj të bëj prognoza të caktuara mbi arritshmerinë sportive të ekipit tim kudo që kam luajtur ose tani që luaj tek Vellaznimi. Por një gjë është e sigurt që kryesia e klubit ka punuar në afrime të rëndësishme që nga stafi teknik e deri tek lojtarët. Cilësia e të cilëve është evidente dhe besoj që me shumë punë dhe përkushtim maksimal ekipor, ne do të arrijmë të krijojmë harmoninë, komponimin dhe rezultatet e nevojshme për të na mundësuar të arrijmë sa më lartë në Kupën e Kosovës dhe të arrijmë në Play-off për të treguar pastaj dhe forcën tonë ekipore. Kuptohet që liga është e fortë dhe se kundërshtarët tanë janë të fortë por do t’i trajtojmë ndeshjet një nga një me qëllimin e vetëm – paraqitjet sa më të mira dhe rezultatet pozitive”, u shpreh Lekndreaj.

Basketbollisti shkodran tregoi për vështirësitë që kaloi gjatë fazës së rikuperimit të tij ku nuk harroi të falënderoj secilin nga ata që i qëndruan afër në këtë fazë të vështirë për të.

“Gjatë fazës së rikuperimit nga lëndimi qe morra në fazën e kualifikimeve të FIBA-s verën që lamë pas kam pasur fatin t’i kem afër meje në secilin moment njerëzit më të dashur, kuptohet familja dhe personat që bashkëpunoj ngushtë me t’a në aspekt profesional por edhe miqtë, mes tyre agjenti im Armend Kelmendi, federata shqiptare e basketbollit FSHB në krye me Presidentin Ponari dhe Sekretarin Osmani me koleget e tjerë, ortoped dhe fizioterapeut. Meqë kjo faze është koordinuar nga federata shqiptare, me Sigal Prishtinën kam qenë në kontakt vetëm në aspekt të mirë-informimit të klubit rreth asaj se si kanë ecur gjërat me riaftësim”, potencoi basketbollit nga Shkodra për Arbresh.info.

26-vjeçari u rikthye të luaj pas pesë muajsh një ndeshje basketbolli pas lëndimit ku shkëlqeu në fitoren e Vëllaznimit ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 86-70, në 22 minuta lojë ai realizoi 12 pikë dhe shtoi nëntë kërcime dhe një asistim.

Këtë paraqitje ai e përshkruan me emocione të veçanta, teksa për të dhurata më e mirë ishte kontributi i tij në këtë fitore të Vëllaznimit që ndërpreu ecurinë e rezultateve negative.

“Rikthimi i shumëkërkuar deshi Zoti të kurorëzohet me një paraqitje të mirë dhe për minutat që u paraqita me fanellën kuq e zi dhe ndjeva emocione të veçanta për faktin qe iu riktheva parketit pas 5 muajsh dhe për ngrohtësinë e shfaqur nga tifozëria vendase, mikpritje që nuk përshkruhet me fjalë dhe u ndjeva njëri nga ta. Dhurata më e mirë ishte kontributi në ekip për fitoren e parë pas një serie negative te rezultateve”, potencoi 26-vjeçari.

Danieli, luan tash e disa sezone në ekipe të ndryshme kosovare, teksa Kosovën e cilëson si shtëpinë e tij. Ai thekson se po kalon momente fantastike në qytetin e Gjakovës.

“Unë në Kosovë jam në shtëpinë time dhe kudo që luaj sigurohem te impenjohem maksimalisht në secilin sekondë të lojës qe trajneri më beson në parket. Jam tejet falënderues për të gjitha momentet e kaluara në Pejë e Prishtinë ku në fund të sezonit rikthehem dhe posaçërisht për momentet fantastike që po më ofron qyteti i traditës sportive – Gjakovës se bukur”, u shpreh ai.

Për fund, Daniel Lekndreaj tha se do të mundohen që të arrijnë rezultate sa më të mira që të gëzojnë tifozët gjakovarë.

“Them se ekipi po merr formën e duhur dita ditës dhe uroj që grupi të arrij formën optimale sa më shpejtë dhe të shfaqim më të mirën tonë dhe t’i argëtojmë tifozët tanë me lojën që bëjmë por më e rëndësishmja të sjellim rezultatet që ata presin nga ne”, përfundoi Daniel Lekndreaj.

Për Daniel Lekndreaj ky është sezoni i katër që luan në basketbollin kosovar, për herë të parë në Kosovë ai djersiti fanellën e Sigal Prishtinës në sezonin 2020/21, më pas u transferua tek skuadra e Pejës për një sezon. Kurse sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Bashkimit të Prizrenit.

Me Sigalin ka luajtur me mesatare prej 13.3 pikëve, 7.1 kërcime e 2.6 asistime, kurse tek Peja ka pasur mesatare prej 9.6 pikëve e 9 kërcime.

Teksa për skuadrën e Bashkimit ka qenë lojtari më i dalluar me mesatare prej 12.8 pikëve e 9 kërcimeve për lojë.

Sfidën e ardhshme, Daniel Lekndreaj dhe Vëllaznimi e luajnë ndaj Trepçës, të dielën me fillim nga ora 19:00 në palestrën “Mintatori”, në Mitrovicë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme