“Njeriu i rekordeve” Messi s’ka të ndalur

20:02 | 16 Janar 2024
KRG

Lionel Messi ka vendosur dy rekorde të reja, pasi mori çmimin si lojtari më i mirë në botë për vitin 2023 nga FIFA.

Messi e mposhti në këtë garë dyshen Erling Haaland dhe Kylian Mbappe, ani pse nuk ishte i pranishëm fizikisht për të marrë këtë çmim, në një mbrëmje gala që u mbajt në Londër.

Sidoqoftë, nuk ishte një fitore aq bindëse e argjentinasit, pasi FIFA ka konfirmuar se ai dhe Haaland e kanë përfunduar garën me pikë të barabarta.

Këto pikë u grumbulluan nga votat e trajnerëve të kombëtareve dhe kapitenëve, gjithashtu edhe të tifozëve dhe gazetarëve.

Por për shkak se Messi mori më shumë vota nga kapitenët e kombëtareve, ai mori vendin e parë duke përjetuar një tjetër triumf pas atij të Topit të Artë në start të sezonit të kaluar.

Messi krijoi edhe më shumë histori teksa u bë lojtari i parë jashtë Evropës që e fiton këtë çmim prestigjioz.

Ai tashmë po luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek Inter Miami, ku në 14 ndeshje sezonin e kaluar shënoi 11 gola si dhe fitoi Kupën e Ligës.

36-vjeçari gjithashtu u bë pjesë e formacionit më të mirë në botë për herë të 17-të radhazi, duke vendosur një rekord që askush nuk e kishte arritur më parë./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme