Konjufca në takim me Hasanin: Mirënjohës për kontributin e Shqipërisë për Kosovën në të gjitha fazat shtetformuese

17:49 | 16 Janar 2024
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Tiranë Skënder Durmishi, shefi i Kabinetit Ilir Kërçeli dhe këshilltarët priti sot në takim Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani.

Sipas njoftimit, gjatë takimit të përzemërt e vëllazëror u shtruan për diskutim çështje të ndryshme që lidhen me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, si dhe u shkëmbyen pikëpamje me theks të veçantë rreth zhvillimeve aktuale politike në vend, rajon e më gjerë, përcjell Arbresh.info.

“Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe frytet e bashkëpunimit të deritashëm, derisa shprehu mirënjohje për kontributin e pazëvendësueshëm që Shqipëria ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat shtetformuese, shtetndërtuese dhe proceset eurointegruese.”, thuhet në njoftim.

Kreu i Kuvendit po ashtu theksoi nevojën për bashkërendim të hapave në mënyrë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit dhe të bashkuar përballë sfidave rajonale e globale.

Ndërsa Ministri Hasani, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë për mbështetjen e Republikës së Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, integrimit euroatlantik dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Në takim Ministri Hasani shoqërohej nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj./Arbresh.info/

Të ngjashme