Google ADS

Shpërthimi në Kçiq, shefi i mjekimit intensiv në QKUK: Njëra paciente me aparat të frymëmarrjes, tjetra me vetëdije

15:29 | 16 Janar 2024
Rreze Sylhasi

Trembëdhjetë persona mbetën të lënduar të shtunën, si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës.

Për shkak të gjendjes dhe lëndimeve të rënda, katër prej tyre katër u dërguan për trajtim në QKUK, shkruan Arbresh.info.

Ndërkaq, aktualisht në klinikën intensive janë duke u trajtuar dy paciente.

Kështu ka bërë të ditur për Arbresh.info shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.

“Në njësinë e mjekimit intensiv qendror, në Qendrën Klinike Universitare janë duke marrë trajtim mjekësor dy prej katër pacientëve të cilët janë pranu ditën e shtunë në mbrëmje për shkak të lëndimeve që kanë pësu në rastin e shpërthimit të bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës”, u shpreh ai.

Uka tha se njëra nga pacientet po vazhdon të qëndrojnë në gjumë për shkak të barnave dhe është e varur nga aparati i frymëmarrjes, ndërsa pacientja tjetër është me vetëdije.

“Gjendja e përgjithshme e këtyre dy pacienteve të cilat për momentin janë në njësinë e mjekimit intesiv qëndror, përkundër lëndimeve të pësuara në rastin e djegies, lëndimeve serioze, paraqitet të jetë stabile për momentin. Njëra prej pacienteve vazhdon të qëndrojë edhe më tutje e fjetur me barna dhe e varur edhe më tutje nga aparatura e frymëmarrjes, kurse pacientja tjetër gjendet me frymëmarrje të vetën dhe është e vetëdijshme”, potencoi shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK.

Njëra nga pacientet që po trajtohet aktualisht në intensivë është e moshës 12 vjeçare, ndërsa tjetra është 56-vjeçare.

Mes tjerash, Uka deklaroi se lëndimet e këtyre pacienteve janë serioze dhe gjendja e tyre duhet të vazhdojë të jetë në monitorim.

“Edhe më tutje nuk mund ta konfirmojmë saktë se jeta e tyre është jashtë rrezikut, pasi që lëndimet janë serioze dhe sipërfaqja e djegies është serioze”, përfundoi Uka./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme