Në familjen e Oliver Ivanoviqit, i cili u vra gjashtë vjet më parë, nuk pajtohen me thënien se koha i shëron të gjitha.
Vëllai i tij, Mirosllav Ivanoviq, thotë se ai dhe familjarët e tjerë “mund t’ia lënë kohës që t’i shërojë plagët” vetëm atëherë kur vrasësit dhe organizatorët e vrasjes së Oliverit të gjenden dhe të ndëshkohen.
Deri atëherë, ai thotë se nuk do të mund të gjejë paqe shpirtërore.
“Dikush, me gjashtë të shtëna pas shpine, vendosi t’ia merrte jetën Oliverit për motive dhe interesa politike. Si familje, kemi gjashtë vjet që jetojmë me këtë. Është e vështirë ta përjetosh, ka shumë gjëra që na rikthejnë në momentet e atij krimi. Koha shëron gjithçka, por në këtë rast është shumë e vështirë”, thotë Mirosllav Ivanoviq.
Në ditën e vrasjes së politikanit të opozitës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq, më 16 janar të vitit 2018, Prishtina dhe Beogradi nisën hetime të ndara.
Në Prishtinë një proces gjyqësor drejt fundit dhe një aktakuzë e re
Gjashtë vjet më vonë, në Kosovë po i afrohet fundi gjykimit të bazuar në aktakuzën e tretë të plotësuar, që u ngrit në vitin 2020, megjithëse jo kundër autorit apo organizatorit, por kundër personave që dyshohet se vinin nga “grupi kriminal që mori pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”.
Të akuzuarit janë: Nedelko Spasojeviq (zyrtar policor), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Sillvana Arsoviq (sekretare e Oliver Ivanoviqit), Dragisha Markoviq (zyrtar policor), Zharko Jovanoviq (zyrtar policor) dhe Radeta Basara (zyrtar policor). Të gjithë ata mbrohen nga liria.
Me vrasjen janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (ish-nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen nga veriu i Kosovës). Ndaj tyre nuk u ngrit ndonjë akuzë, pasi janë në arrati.
Në fund të dhjetorit të vitit 2023, opinioni në Kosovë u njoftua se kundër një personi me iniciale M.M., ishte ngritur një aktakuzë tjetër, për shkak të dyshimeve se ai ishte pjesëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, por edhe për “pengim të procesit gjyqësor”, “kanosje” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Disa media në Kosovë raportuan së bëhet fjalë për Millan Mihajlloviqin nga Leposaviqi, me pseudonimin “Pop”, i cili pas disa muajsh në paraburgim po mbrohet nga liria.
Mirosllav Ivanoviq, njëherësh gjyqtar në pension, thotë se nuk e njeh atë emër apo inicialet e tij dhe se për të “është një fytyrë e re në gjithë këtë rrëfim”.
Çfarë u vërtetua në gjykatë?
Të pandehurit akuzohen se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal të kryesuar nga Zhelko Bojiq, Zvonko Vesellinoviq dhe Millan Radoiçiq nga viti 2014 deri në vitin 2018 dhe se vazhdimisht kanë tentuar ta vënë nën kontroll të tyre Mitrovicën e Veriut.
Në aktakuzë, po ashtu, thuhet se të pandehurit me vetëdije dhe me dashje e kanë ndihmuar atë grup kriminal për ta kryer veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Nedelko Spasojeviq akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së rëndë, duke i bartur autorët e atentatit me veturën zyrtare të Policisë së Kosovës në një veturë Opel Astra, nga e cila u qëllua në drejtim të Oliver Ivanoviqit.
Zharko Jovanoviq akuzohet për fshehje të provave në vendin ku është kryer vrasja, ndërsa Dragisha Markoviq akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare “duke i dhënë informacion një polici nga Serbia”.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Marko Roshiqin se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë duke ndjekur çdo lëvizje të Oliver Ivanoviqit me automjetin e tij.
Gjithashtu, Sillvana Arsoviq akuzohet se ka qenë anëtare e grupit kriminal që ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së rëndë, duke i fikur kamerat e vëzhgimit në momentin e vrasjes.
Faruk Korenica, njëri nga avokatët mbrojtës, thotë se të gjithë dëshmitarët janë marrë në pyetje dhe se do të paraqiten disa prova materiale, ashtu si dhe mbrojtja e të pandehurve.
Megjithatë, ai nuk mund të thotë se kur priten deklaratat përfundimtare dhe aktgjykimi.
Sipas vlerësimit të tij, prokuroria nuk i ka vërtetuar pretendimet e saj gjatë procesit gjyqësor. Ai pret që të akuzuarit përfundimisht të lirohen.
“Ka filluar nga zeroja dhe do të përfundojë me zero. Ajo lëndë është përdorur për qëllime politike dhe nuk është mirë që dikush të kapet për shkak të saj”, thotë ai.
Avokatja Jovana Fillipoviq nuk beson se deri në fund të procesit gjyqësor do të zbulohet emri i vrasësit apo organizatorit, pasi, siç thotë ajo, “nuk kemi mësuar asgjë të re”.
“Ajo që kemi pretenduar pesë vjet më parë, kur ka filluar ky proces gjyqësor, është ajo që mund ta përsërisim edhe sot: të gjitha provat që janë voluminoze, në fakt nuk e vërtetojnë thelbin, dhe kjo është ajo që na intereson”, thotë Fillipoviq.
REL-i iu drejtua edhe Prokurorisë Speciale të Kosovës me pyetjen se a ka mundur t’i vërtetojë pretendimet e saj në gjykatë, marrë parasysh se së shpejti do të duhej të jepej aktgjykimi, por nuk mori përgjigje.
Gjyqi pa dëshmitarët kyçë
Mirosllav Ivanoviq thotë se prokuroria është mbështetur kryesisht te dëshmitarët anonimë, të cilët janë tërhequr gjatë hetimeve, për shkak se kanë pasur frikë për sigurinë e tyre.
Avokati Faruk Korenica tha se ka qenë prokuroria ajo që ka bërë “lëshime të pafalshme”, përkatësisht ka zbuluar identitetin e dëshmitarëve anonimë përmes marrjes në pyetje, të cilët më pas janë tërhequr për shkak të frikës.
Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësoi më herët se dëshmitarët e prokurorisë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit gjithsesi mund të mbrohen.
Kosova, përndryshe, ka një komision për mbrojtjen e viktimave, i cili vendos për përfshirjen e personave në programin për mbrojtjen e viktimave. Ai komision përbëhet nga kryeprokurori, drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.
Mirosllav Ivanoviq thotë se Prokuroria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për t’i mbrojtur ata dëshmitarë anonimë.
“Unë them se rezultati i atyre procedurave është nën pikëpyetje të madhe, çfarë do të ndodhë dhe si do të përfundojë”, shton ai.
Serbia pa aktakuzë dhe gjyq
Në Serbi, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit i zhvillon Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë, e cila nuk iu përgjigj pyetjeve se në cilën fazë janë procedurat pas gjashtë vjetësh dhe çfarë informacionesh ka siguruar.
Më herët, ajo ka thënë se lënda është e klasifikuar.
Edhe Mirosllav Ivanoviq thotë se hetimet në Serbi janë “nën vellon e fshehtësisë” gjatë gjithë kohës.
Në qershor të vitit 2023, ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, deklaroi se autoritetet serbe“e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe se policia serbe është duke e kërkuar atë njeri nga autoritetet gjermane “nën mbrojtjen e të cilave është”.
Pasi Gjermania mohoi se mbron vrasësin e Ivanoviqit, Gashiq tha se deklarata e tij është keqinterpretuar, duke u transmetuar pa pikëpyetjen që i jepte kuptim tjetër.
Duke u përgjigjur në mes të vitit të kaluar në lidhje me këtë deklaratë të Gashiqit, prokuroria tha se nuk është deklaruar për masat e marra gjatë procedurës para-hetimore dhe se nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen.
Dy muaj më vonë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kërkoi falje Gjermanisë për deklaratën e Gashiqit.
Në përvjetorin e tretë të vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2021, Vuçiq tha se autoritetet serbe, prej muajsh tashmë, kanë një pasqyrë të plotë të atyre që do të kishin një motiv dhe mund të jenë të përfshirë.
“Por, ne nuk kemi mundur të jemi të pranishëm në hetime, kështu që nuk i kemi ato që do t’i quanim prova të drejtpërdrejta. Për këtë, duhet që disa nga materialet e hetimit t’i kemi në duar ose një pranim i drejtpërdrejtë nga njëri prej pjesëmarrësve”, tha Vuçiq.
Ndërkaq, në mes të vitit 2019, ai tha se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”.
Duke iu drejtuar opinionit, Vuçiq tha se Millan Radoiçiq “nuk ka lidhje me këtë krim”.
“Me siguri mund të themi se Radoiçiq, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit”, tha presidenti i Serbisë në atë kohë.
Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar, ndërsa Kosova e kërkon për shkak të frikësimeve në procedurat gjyqësore, si dhe sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023. Radoiçiq e mori përgjegjësinë për atë sulm, në të cilin u vra polici kosovar, Afrim Bunjaku.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtar”
Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë kur bëhet fjalë për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe vëllai i tij, Mirosllavi, beson se ky bashkëpunim do të ishte vendimtar.
“Qoftë edhe një bashkëpunim i heshtur mes dy prokurorive, të Kosovës dhe të Serbisë, në mënyrë që të punohet në zbardhjen e kësaj vepre”, thotë ai.
Përderisa Kosova ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim informacionesh për ndriçimin e këtij rasti, nga ana e Serbisë kjo gatishmëri ka munguar”.
Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili përcjell procesin gjyqësor për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kujton se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se ata kanë theksuar nevojën për t’u dhënë kohë të mjaftueshme organeve përgjegjëse, për ta kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
Në raportet e këtij hulumtuesi, të cilat u publikuan në kuadër të monitorimit të 30 seancave, thuhet se kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë atëkohë, Ramush Haradinaj dhe Ana Bërnabiq, kanë pasur kontakte lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
“Përderisa Kosova, përmes ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim informacionesh për ndriçimin e këtij rasti, nga ana e Serbisë kjo gatishmëri ka munguar”, thotë Kolaj.
Ai, po ashtu, kujton se fletarrestimi i Kosovës për Millan Radoiçiqin, për shkak të lidhjes së tij me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është anuluar. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, pranoi në një konferencë për media se e kishte dhënë pëlqimin për një gjë të tillë, por nuk i tregoi arsyet.
Kolaj, në bazë të monitorimit, konstaton se procesi gjyqësor në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit është “mjaft kompleks dhe i paqartë” dhe se marrëdhëniet e këqija ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë ndikuar në vetë rrjedhën e hetimeve dhe të procesit gjyqësor.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...