Ancelotti pas trofeut të Superkupës: Jam i lumtur, por dua të luftoj për trofeun e 12-të

16:46 | 15 Janar 2024
D.H

Real Madridi arriti të mposht skuadrën e Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës me rezultat 4-1.

Me këtë triumf Reali arriti në kuotën e 13 trofeve të Superkupës së Spanjës, shkruan Arbresh.info.

Pas ndeshjes Carlo Ancelotti theksoi se ishte ndeshje e vështirë dhe se nuk e ka pritur që të shënonin aq herët.

“Ishte një ndeshje e vështirë, nuk e prisja të shënonim kaq herët. Ne përfituam nga fakti që linja e tyre e mbrojtjes u vendos lart, rezultati ishte i tepruar për mënyrën se si luajti Barcelona”, theksoi Ancelotti.

Ai pati disa fjalë edhe për yllin brazilian Vinicius Jr i cili shënoi hattrick në finalen e Superkupës.

“Vini luajti shumë mirë. I duheshin dy ose tri ndeshje për t’u rikthyer në nivelin e tij më të mirë braziliani ishte jashtë për një muaj për shkak të një problemi fizik. Skuadra është vërtet e mirë, ne jemi të motivuar, veçanërisht pas fitimit të këtij trofeu”, shtoi Carlo.

Teksa në fund trajneri i Los Blancos u shpreh se dëshiron edhe trofe të tjerë me Real Madridin.

Ky ishte trofeu i 11-të i italianit me skuadrën e Real Madridit.

“Jam i lumtur, por dua të luftoj për të 12-tin. A e kam kaluar rekordin e Zidane? Ishte një natë e veçantë, por në Madrid ka shumë net të tilla. Kjo është forca e këtij klubi”, u shpreh Carlo Ancelotti.

Kujtojmë se Reali është në garë për të tre trofetë e mundshëm këtë sezon, La Liga, Copa del Rey dhe Uefa Champions League./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme