Google ADS

Policia aksione në të gjithë vendin kundër ‘armëmbajtjes pa leje’, Balla: Përbën shpërfillje të rëndë ndaj ligjit

17:53 | 14 Janar 2024
D.H

Armëmbajtja pa leje është tani në qendër të operacionit “Sundimi i Ligjit”. Kjo vepër penale shpesh është edhe një nga shkaqet kryesore jo vetëm të krimeve, shpërfilljes së ligjit, por edhe të kërcënimeve ndaj jetës dhe pronës.

Nisur nga ky shqetësim dhe me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në mbarë vendin, po zhvillohen një seri operacionesh policore në Shqipëri, thuajse në të gjithë territorin, kundër personave apo grupeve kriminale që mbajnë armë pa leje.

Këtë fakt e ka bërë të ditur edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, i cili, nëpërmjet një postimi në faqen e Policisë së Shtetit, bëri të ditur se uniformat blu po godasin çdo ditë veprën penale të armëmbajtjess pa leje, një fenomen ky që, sipas tij, “mbetet gjithmonë një shembull i keq në sytë e publikut”.

“Armëmbajtja pa leje është një shpërfillje e rëndë ndaj ligjit dhe arrogancë e hapur ndaj shoqërisë sonë. Armëmbajtja pa leje është burim potencial i krimeve të rënda kundër personit. Gjithashtu gjatë kontrolleve të befasishme, bazuar në edhe në inteligjencën policore, janë goditur disa rrjete të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Sasi të konsiderueshme drogrash të ndryshme janë sekuestruar nga Policia e Shtetit gjatë natës së mbëmshme”, njofton Balla.

Sipas Kodit Penal, mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Ndërsa mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

“Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.  Mbajtja e armëve shpërthyese ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.”, thuhet në Kodin Penal.

Nga ana tjetër, prodhimi, shitja, blerja, ofrimi për shitje, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i armëve shpërthyese, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër penale, kur kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Ndërsa falsifikimi ose fshirja, zhvendosja ose ndryshimi i paligjshëm i shenjave mbi armët dhe municionet luftarake dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Nisur nga këto parashikime ligjore, Kodi Penal parashikon dënime jo të pakta për armëmbajtje pa leje./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme