I akuzuar për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve, Izraeli mbrojti luftën e tij në Gazë në paraqitjen para gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara të premten, një ditë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i hodhi poshtë akuzat për gjenocid.
Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, ka mohuar fuqimisht akuzat e ngritura nga Afrika e Jugut në një nga rastet më të mëdha që janë paraqitur ndonjëherë përpara një gjykate ndërkombëtare. Rasti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe ka shkaktuar protesta para gjykatës, nga të dyja palët.
Avokatët e Afrikës së Jugut i kërkuan gjykatës të enjten të urdhërojë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake izraelite në territorin rrethuar, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Një vendim për këtë kërkesë ndoshta do të marrë javë, megjithëse çështja e plotë ka të ngjarë të zgjasë disa vjet.
“Ne jetojmë në një kohë kur fjalët janë të lira, në një epokë të mediave sociale dhe politikave të identitetit. Përpjekja për të kërkuar termin më të egër dhe për të fyer është bërë, për shumë, e papërmbajtshme”, tha këshilltari ligjor izraelit, Tal Becker në sallën e mbushur të gjykatës botërore në Hagë.
Ai shtoi se Afrika e Jugut “ka paraqitur para gjykatës një pamje thellësisht të shtrembëruar. Tërësia e çështjes së saj varet nga një përshkrim i dekontekstualizuar dhe manipulues i realitetit të armiqësive aktuale”.
Izraeli shpesh bojkoton gjykatat ndërkombëtare dhe hetimet e OKB-së, duke thënë se ato janë të padrejta dhe të njëanshme. Por, për të treguar se sa seriozisht e konsiderojnë rastin, udhëheqësit izraelitë kanë ndërmarrë hapin e rrallë të dërgimit të një ekipi ligjor të nivelit të lartë.
Në qendër të këtij rasti janë veprimet e Izraelit në Gaza, ku filloi një sulm masiv ajror dhe tokësor pasi militantët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë. Ata gjithashtu rrëmbyen rreth 250 persona, më shumë se gjysma prej të cilëve ende mbahen peng.
Më shumë se 23.000 njerëz në Gaza janë vrarë gjatë luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Gati 85 për qind e banorëve të Gazës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, një e katërta e banorëve të territorit përballen me urinë dhe pjesa më e madhe e Gazës veriore është kthyer në gërmadha.
Afrika e Jugut thotë se kjo përbën gjenocid dhe është pjesë shtypjes izraelite, me dekada, ndaj palestinezëve.
“Shkalla e shkatërrimit në Gaza, shënjestrimi i shtëpive familjare dhe civilëve, lufta si luftë kundër fëmijëve – të gjitha e bëjnë të qartë se qëllimi gjenocidal është kuptuar dhe është vënë në praktikë. Synimi i artikuluar është shkatërrimi i jetës palestineze”, tha avokatja Tembeka Ngcukaitobi në deklaratat e hapjes të enjten.
Netanyahu i hodhi poshtë këto argumente.
“Kjo është një botë e përmbysur – shteti i Izraelit akuzohet për gjenocid ndërsa po lufton gjenocidin”, tha kryeministri të enjten në një deklaratë me video. “Hipokrizia e Afrikës së Jugut arrin deri në qiell”, shtoi ai.
Izraeli thotë se po vepron në vetëmbrojtje legjitime.
Marrëveshjet ndërkombëtare ende i detyrojnë vendet me rregullat e luftës, edhe në rastet kur i përgjigjen një sulmi, sado serioz të jetë. Gjykata duhet të vendosë nëse operacionet e Izraelit kanë mbetur vërtet brenda këtyre kufizimeve.
Edhe pse gjetjet e gjykatës konsiderohen të detyrueshme, ishte e paqartë nëse Izraeli do të merrte parasysh ndonjë urdhër për të ndalur luftimet. Nëse nuk e bën këtë, mund të përballet me sanksione të OKB-së, megjithëse ato mund të bllokohen nga një veto e Shteteve të Bashkuara – aleati i vendosur i Izraelit.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë se si mund të përgjigjet nëse gjykata vendos se Izraeli ka kryer gjenocid. Por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, i quajti akuzat “të pabaza”./rel
Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fill...
Ndërprerjet e energjisë për shkak të motit, KESCO del me njo...
Moti i keq në Shkodër, shumë zona pa energji elektrike, bllo...
Përurohet qendra e re e mjekësisë familjare në Mamushë
Ukraina: Raketa e re ruse arriti shpejtësinë mbi 13.000 kilo...
Aksident me vdekje në Bulqizë, makina del nga rruga