Google ADS

Blinken i kërkon Izraelit që të angazhohet me udhëheqësit rajonal për planet e pasluftës në Gazë

12:58 | 10 Janar 2024
E.K

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Izraelit të martën që të bashkëpunojë me palestinezët e moderuar dhe vendet fqinje lidhur me planet për Gazën pas luftës, duke thënë se ata janë të gatshëm që të ndihmojnë për rindërtimin dhe qeverisjen e territorit, por vetëm nëse ka një “rrugë drejt një shteti palestinez”.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndajnë të njëjtin qëndrim në luftën kundër Hamasit, por kanë dallime të theksuara lidhur me të ardhmen e Gazës. Uashingtoni dhe aleatët arabë shpresojnë të ringjallin procesin e paqes, një ide që kundërshtohet ashpër nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe partnerët e tij të koalicionit.

Lufta intensive ka shkaktuar një katastrofë humanitare në Rripin e Gazës ndërsa konflikti ka nxitur përshkallëzimin e dhunës mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut në Liban, çka ka shtuar drojën për përhapjen e konfliktit në rajon.

Gjatë një konference shtypi pas takimit me udhëheqjen e lartë izraelite, Sekretari Blinken tha se Izraeli “duhet të ndalojë hedhjen e hapave që dëmtojnë aftësitë e palestinezëve për të qeverisur veten në mënyrë efektive”. Izraeli, shtoi ai “duhet të jetë partner me udhëheqësit palestinezë që janë të gatshëm të udhëheqin popullin e tyre” dhe të jetojnë “krah për krah në paqe me Izraelin”.

Dhuna e kolonëve, zgjerimi i vendbanimeve, prishja e shtëpive dhe dëbimet “të gjitha këto e bëjnë më të vështirë, jo më të lehtë, për Izraelin që të arrijë paqe dhe siguri të qëndrueshme”.

Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje Autoritetit Palestinez, i cili aktualisht administron pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, që të marrë frenat në Gazë.

Udhëheqësit izraelitë e kanë hedhur poshtë këtë ide dhe nuk kanë paraqitur një plan konkret. Izraeli ka thënë se do të mbajë një kontroll ushtarak pa afat të kufizuar.

Zoti Blinken ka thënë se Arabia Saudite, Jordania, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia kanë rënë dakord që të fillojnë planifikimet për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës.

Udhëheqësit e Jordanisë, Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez do të takohen të mërkurën në qytetin jugor Akaba të Detit të Kuq në Jordani./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme