KMDLNj – qytetarëve: Paditeni KESCO-n, ZRrE-në dhe KEDS-in, kërkoni kompensim

17:35 | 9 Janar 2024
E.H

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), po kërkon nga qytetarët të ngritin padi në gjykatat kompetente dhe të kërkojnë kompensim nga KESCO, ZRrE dhe KEDS.

Kjo për shkak të faturave të energjisë elektrike të muajit dhjetor, të cilat KMDLNj thotë se ishin “të kripura” dhe paraqisnin rrymë të pashpenzuar dhe shkonin deri në 400% më shtrenjtë në raport me muajin paraprak, përcjell Arbresh.info

“Muajin e kaluar faturat për rrymën e pa-shpenzuar ishin të kripura; deri 400 për qind më të larta se të muajit paraprak. KMDLNj ka rekomanduar qytetarët e Kosovës të ankohen dhe të paguajnë vetëm shumën e muajit paraprak. Para sporteleve të KEDS janë krijuar radhë të gjata të qytetarëve që po ankohen për këto fatura jonormale dhe pritjet janë disa orëshe”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ.

“Reagimet e KEDS, KES/CO janë reagime të hajdutëve të zënë në vepër ndërsa reagimi i Qeverisë së Kosovës është oportunist dhe i pamoralshëm. ZRrE do të duhej ta kryente mandatin e rregullatorit e jo të vihet në anën e operatorit keqbërës që keqpërdorë buxhetin e qytetarëve të Kosovës në baza etnike dhe politike, që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Për këtë kemi një vendim të Gjykatës kompetente që ka urdhëruar zhdëmtimin e konsumatorëve për mjetet që janë siguruar përmes fryerjeve të faturave me qëllim të shlyerjes së borxheve për serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Mes tjerash, KMDLNj rekomandon qytetarët e Kosovës të këmbëngulin në realizimit e të drejtave të tyre që t’u kthehen mjetet për aq kohë sa janë dëmtuar duke kërkuar edhe përgjegjësi ligjore për ata që e kanë planifikuar, e kanë lejuar dhe e kanë zbatuar këtë keqpërdorim. Adresa e përgjegjësisë është ZRrE.

“Qqytetarët duhet të kërkojnë rishikimin e faturave të fundit duke mos u mjaftuar vetëm me kundërshtim verbal. Qytetarët duhet të organizohen në mbrojtje të drejtave të tyre duke protestuar deri në realizim të këtyre të drejtave dhe të kërkojnë përgjegjësi për shpërdoruesit. Për shkak të përsëritjes të keqpërdorimeve qytetarët duhet të kërkojnë shkëputjen e kontratës me KEDS ashtu si ka ndodhur në vende të tjera ku qeveritë kanë mbrojtur interesin e qytetarëve përkatësisht të konsumatorëve”, thuhet në komunikat

“Ky mbifaturim i muajit të fundit nuk duhet të tolerohet dhe të kalojë pa një përgjigje të vendosur të qytetarëve aq më parë që Kosova është i vetmi vend në rajon por edhe më gjerë ku faturimi i rrymës nuk bëhet në bazë të asaj se sa keni shpenzuar por se cilit komunitet etnik i takoni ku shqiptarët, si shumicë absolute, diskriminohen në mënyrë dhe përmasa absolute. E për çfarë të drejta kushtetuese dhe barazi para ligjit mund të flasim?!”, thuhet tutje në komunikatë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme