Rama: Mbi 130 mijë qytetarë u bënë pjesë e festave në Prishtinë në 10 ditët e fundit të dhjetorit

17:17 | 8 Janar 2024
E.H

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se mbi 130 mijë qytetarë, shumica e tyre vizitorë, u bënë pjesë e festave në kryeqytet 10 ditët e fundit të dhjetorit 2023.

“Sheshet tona, rrugët e lagjet e ndryshme janë mbushur me qytetarë si kurrë më parë. Bisedat me njëri – tjetrin të shoqëruara me kafen, çajin apo verën e ngrohtë nën tingujt e magjishëm të këngëve tona të interpretuara mrekullisht nga artistët tanë, na treguan edhe njëherë se sa i veçantë, vibrant e i ngrohtë është kryeqyteti ynë”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, Rama shtoi se do të vazhdoj me shtimin e gjelbërimit, krijimin e këndeve për fëmijë, shtimin e ndriçimit publik dhe rregullimin e disa prej tyre me kalldrëm.

“Në Prishtinë, këtë vit në hapësirat publike, hapësirat e qytetarëve, do të vazhdojmë me intervenimin në shtimin e gjelbërimit, krijimin e këndeve për fëmijë, shtimin e ndriçimit publik dhe rregullimin e disa prej tyre me kalldrëm”, shtoi ai.

“Do të organizojmë super festivale, koncerte, lojëra e shumëçka tjetër, për të sjellë momente të veçanta për të gjithë ne, sepse kemi projekte me të cilat do t’ua kthejmë hapësirat publike qytetarëve”, tha Rama./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme