Google ADS

Vetëvritet një 41-vjeçare Shqipëri, policia arreston bashkëshortin

16:23 | 6 Janar 2024
R J

Policia e Durrësit në Shqipëri arrestoi bashkëshortin e një 41-vjeçareje, nënë e katër fëmijëve, e cila vdiq pasi konsumoi lëndë helmuese.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 45-vjeçari i arrestuar ushtronte dhunë psikologjike në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij.

“Gjithashtu rezultoi se më datë 27 dhjetor të vitit që kaloi, burri e ka kërcënuar bashkëshorten me thikë për ta vrarë në prezencë të njërit prej fëmijëve”, tha policia shqiptare, duke sqaruar se për këtë rast viktima nuk kishte bërë kallëzim.

Gjatë kontrollit në banesën e çiftit, në fshatin Sukth të Durrësi, policia tha se ka gjetur dhe sekuestruar celularin e 45-vjeçarit, të cilin e kishte fshehur dhe nuk kishte bashkëpunuar me policinë.

Autoritetet sqaruan ky telefon celular, së bashku me telefonin e viktimës, janë dërguar për ekspertizë me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes së rëndë. Policia tha se janë kryer disa veprime të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen e Shqipërisë, B.L, të konsumonte lëndë helmuese.

Njëkohësisht strukturat e specializuara për hetimin e krimeve kibernetike po kryejnë disa veprime për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin apo autoren e keqpërdorimit të të dhënave të viktimës, në rrjetin social, TikTok.

Familjarë dhe të afërm të 41-vjeçares kanë thënë për policinë se prej më shumë se një viti, me emrin dhe foton e viktimës ishte hapur një llogari në rrjetin social, TikTok, ku gruaja fyhej dhe denigrohej.

Policia pranoi më 5 janar se për këtë rast, në dhjetor të vitit 2022 viktima kishte bërë një kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false emër të saj. Për këtë kallëzim, policia tha se ia ka përcjellë të dhënat prokurorisë dhe çështja është nën hetim.

Po ashtu, nga autoritetet e rendit u tha se pas këtij kallëzimi nuk kishte pasur ndonjë shqetësim apo kallëzim nga 41-vjeçarja për këtë rast.

Policia sqaroi se pasditen e 2 janarit të vitit 2024, ishte njoftuar nga shërbimet e spitalit të Durrësit se gruaja, që dyshohet se kishte konsumuar fotoksinë, kishte marrë ndihmën mjekësore, por nuk kishte mundur të mbijetonte.

Familjarë të viktimës kanë thënë për mediat se kërkojnë zhvarrosjen e trupit, pasi pretendojnë se ajo kishte shenja dhune dhe akuzojnë bashkëshortin për dhunë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme