Smakiqi: Arrestim i Dakajt i kundërligjshëm, më shumë është çështje politike

15:17 | 6 Janar 2024
E.G

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj që është arrestuar mëngjesin e së premtes nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar në Merdar, gjendet në burgun e Kurshumlisë.

Avokati i tij, Xhevdet Smakiqi në një prononcim për RTK ka theksuar se arrestimin e tij e konsideron më shumë si një çështje politike se sa juridike.

“Kjo është praktike e presionit politik nga shteti serb nuk është çështje e pastër juridike përveç arrestim i kundërligjshëm”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se nuk ka arritur që të flas me klientin e tij, ndërsa ka bërë të ditur se Dakajt i është lejuar të kontaktoj vetëm me familjarët e tij.

“Klientit tim i është lejuar të kontaktoj më familjen e tij dje, i cili ka treguar se gjendet në qendrën e ndalimit në Kurshumli. Shqetësimet dhe ankthi i familjarëve është shumë i madh”, është shprehur Smakiqi.

Ai ka thënë se të gjitha veprimet e nevojshme ligjore i ka ndërmarr të premten, ndërsa ende deri më tash nuk ka ndonjë informacion të ri në lidhje me rastin.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë që Serbia ta lirojë Hasan Dakajn, ish-ushtar i UÇK-së, të cilin e ka arrestuar të premten në mëngjes.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se ka aktivizuar të gjithë mekanizmat institucionalë dhe se ka njoftuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Daka nga organet serbe”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD-ja po ashtu ka ftuar qytetarët që mund të përballen me vështirësi të tilla gjatë udhëtimit nëpër Serbi që të kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj nga policia serbe në pikën kufitare me Serbinë, përkatësisht në Merdar. Konjufca ka thënë se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

“Arrestimi i papranueshëm në Merdare i ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, nga policia serbe, përbën një sinjal tepër të rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen. E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin e sulmeve mbi Kosovën.

“Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vijon ai.

Konjufca ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.

“Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka thënë Konjufca.

Të ngjashme