Koreja e Veriut sërish gjuan predha afër Koresë së Jugut

14:32 | 6 Janar 2024
E.G

Ushtria e Koresë së Veriut ka gjuajtur mbi 60 predha të artilerisë afër ishullit Jeonpeong më 6 janar, tha ushtria në Seul. Ky njoftim vjen një ditë pasi dy Koretë kryen stërvitje ushtarake në zonën e njëjtë afër kufirit detar mes dy shteteve.

“Forcat e Koresë së Veriut ka gjuajtur mbi 600 predha nga veriperëndimi i ishullit Jeonpeong”, tha ushtria e Koresë së Jugut përmes një njoftimi.

Të premten, Koreja e Veriut gjuajti mbi 200 predha të artilerisë afër Jeonpeongut dhe Baengnjeongut, dy ishull me popullsi të vogël që gjenden në jug të kufirit detar de facto që ndan dy shtetet.

Banorët e dy ishujve u urdhëruan që të evakuoheshin pas një prej përshkallëzimeve më serioze ushtarake në gadishull që kur Koreja e Veriut gjuajti predha në një prej këtyre dy ishujve në vitin 2010.

Predhat e gjuajtura nga Koreja e Veriut dje dhe sot kanë rënë në zonën e ndalimit të krijuar në bazë të një marrëveshjeje për uljen e tensioneve të arritur më 2018, por ky pakt u prish në nëntorin e vitit të kaluar, pasi Veriu lansoi një satelit spiunazhi.

Ushtria e Seulit tha të shtunën se “zjarri i përsëritur i artilerisë nga Koreja e Veriut paraqet kërcënim për paqe në Gadishullin Korean dhe përshkallëzon tensionet”.

Koreja e Jugut ka lëshuar një “paralajmërim të fuqishëm” dhe i ka bërë thirrje Veriut që menjëherë të ndalë këto veprime. Jugu tha se ushtria do të ndërmarrë masat e nevojshme “për të mbrojtur shtetin tonë”.

Raportet midis dy Koreve janë në pikën më të ulët në dekada pasi lideri verikorean, Kim Jong Un, inkorporoi në Kushtetutën e vendit statusin e shtetit si fuqi bërthamore dhe vazhdoi me testimin e disa raketave të avancuara balistike ndërkontinentale.

Të dy shtetet teknikisht janë në luftë për shkak se konflikti i viteve 1950-53 përfundoi pa një armëpushim e pa traktat dhe shumica e kufirit që i ndan shtetet është jashtëzakonisht i fortifikuar, ndërkaq kufiri detar asnjëherë nuk është përcaktuar zyrtarisht./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme