Kryeministrit, Albin Kurti njofton se targat RKS po qarkullojnë lirshëm e hapur në territorin e Serbisë.
Kurti shkruan se nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje janë njoftuar që ka zbatim të plotë dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa.
Postimi i plotë i tij:
Targat RKS qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë
Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024. Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare.
Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë.
Kjo situatë e re i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve. Por ky vendim fillimisht po vjen pas përdorimit dy vjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë; dhe, tash së fundmi, si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje (sidomos në Beograd).
Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023.
Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë: manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake.
Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, të standardeve ligjore të Bashkimit Evropian që rregullojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të automjeteve. Do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv./Arbresh.info/
“Mirëmëngjesi bro”, i thotë Sara Drilonit, por këtij të fund...
Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri apel për masa parandaluese...
Ardhja bashkëatdhetarëve, mbi 1 orë pritjet për të hyrë në K...
Gjesti, ende i inatosur me Xhenetën, nis debat me të në dhom...
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...