Rama: Digjitalizohet aplikimi për leje ndërtimi

20:22 | 4 Janar 2024
E.G

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se është digjitalizuar aplikimi për leje ndërtimi.

Me anë të një postimi në Facebook, Rama bën të ditur se funksionalizimi i kësaj pakoje shërbimesh do të bëhet gjatë janarit, shkruan Arbresh.info.

“Me kënaqësi informoj qytetarët se gjatë janarit do të hyj në funksion pako e shërbimeve digjitale “e-Leja, e-Përcjellja, e-Nënshkrimi””, thuhet në njoftim.

Sipas tij, ky produkt është rezultat i punës së madhe të Kryeqytetit për të përmirësuar shërbimet publike, për të qenë sa më transparent, eliminuar vonesat e keqpërdorimet e mundshme si dhe për të bërë qytetin tonë një vend më të mirë për të jetuar.

“Çfarë Ndodh Tani?

Aplikimi Online: Tani mund të aplikoni për leje ndërtimi nga shtëpia ose zyra juaj dhe nuk do të prisni më në radhë para sporteleve.

Proces Transparent: Gjithë procesi është i qartë dhe mund të ndiqet hap pas hapi nëpërmjet platformës sonë online.

Kohë e Shkurtër: Përpunimi i aplikimeve tani do të jetë shumë më i shpejtë, s’do të prisni kohë të gjatë për përgjigjje, dhe nuk keni nevojë të kontaktoni fizikisht me zyrtarët e Kryeqytetit.”, ka shkruar i pari i Prishtinës.

Rama thotë se kjo do të bëjë që çdo ndërhyrje në hapësirat urbane të jetë e lehtë, e shpejtë dhe mbi të gjitha, në përputhje me standardet dhe kushtet që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm urban./Arbresh.info/

Të ngjashme