Lëshohen raketa nga Libani, Izraeli kërcënon Iranin: Qëllojmë nga Gaza në Teheran!

17:09 | 4 Janar 2024
KRG

Disa raketa janë lëshuar nga Libani në drejtim të veriut të Izraelit. Kjo është konfirmuar nga autoritetet e shtetit hebre që saktësojnë se nga sulmet është dëmtuar një shtëpi.

Kjo vjen pas vrasjes së numrit dy të Hamas në Bejrut, ngjarje që pasoi me kërcënime për reagime të ashpra nga militantët e Hezbollahut, por edhe nga Irani. Izraeli është përgjigjur me të njëjtën mënyrë.

“Aktivitetet e ushtrisë bazohen mbi inteligjencë. Cilësia e lartë dhe informacioni i pasur i inteligjencës shpëtojnë jetët e shumë ushtarëve dhe u shkaktojnë dëme të mëdha armiqve tanë, nga Gaza e deri në Iran, dhe në të gjitha zonat ku duhet të përballemi me sfida të vështira”, konfirmon për mediat izraelite kreu i inteligjencës ushtarake, Gjeneral Majori Aharon Haliwa.

Nga ana tjetër, presidenti Iranian, Ebrahim Raisi akuzon Izraelin duke thënë se po kërkon me dëshpërim që të mbjellë pasiguri në rajon dhe ta destabilizojë atë për shkak të dështimit për të përmbushur synimet në Gaza.

Sakaq, ka ardhur dhe një kërcënim nga Mosadi. Kreu i agjencisë së inteligjencës izraelite ka thënë se “është e angazhuar për të zgjidhur hesapet me vrasësit” që kryen sulmin e Hamasit.

“Çdo nënë arabe duhet të dijë se nëse djali i saj ka marrë pjesë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në masakrën e 7 tetorit, gjaku i tij do t’i dalë nga koka”, u shpreh David Barnea.

Ndërkohë, Hamasi akuzon Izraelin se ka goditur një zonë të sigurt të Gazës në jug duke vrarë 14 persona.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga grupimi militant thotë se më shumë se 22,400 njerëz janë vrarë në enklavën palestineze që kur Izraeli filloi fushatën e tij hakmarrëse për sulmet që u morën jetën 1200 izraelitëve./A2NN

Të ngjashme