Presidenti Joe Biden do ta nisë vitin duke bërë fushatë në vende me rëndësi historike ku do të përkujtojë ngjarje të rënda, si tre vjetori i sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit. Ai gjithashtu do të vizitojë një Kishë në Karolinën e Jugut, ku një amerikan i bardhë i armatosur vrau besimtarët afrikano-amerikanë. Gjatë këtyre vizitave ai pritet të argumentojë se zgjedhjet presidenciale që do të mbahen këtë vit mund të përcaktojnë fatin e demokracisë amerikane.
Të shtunën, Presidenti Biden do të shkojë në një zonë të Pensilvanisë, Valley Forge, ku George Washington dhe Ushtria Kontinentale kaluan një dimër të zymtë gati 250 vjet më parë. Atje, ai do të dënojë rolin e ish-presidentit Donald Trump për të nxitur mbështetësit e tij që sulmuan Kongresin amerikan në një përpjekje për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Dy ditë më vonë, Presidenti do të vizitojë Kishën “Mother Emanuel” në Çarleston ku nëntë persona u vranë me armë zjarri në qershorin e vitit 2015 nga një supremacist i bardhë.
Gjatë këtyre dy vizitave, ai do ta karakterizojë paraardhësin e tij si një kërcënim serioz për parimet mbi të cilat u themelua vendi, duke argumentuar se zoti Trump do të minojë demokracinë amerikane nëse fiton një mandat të dytë. Ish-Presidenti Trump ka epërsi të thellë mes kandidatëve që po përpiqen të sigurojnë emërimin e Partisë Republikane.
“Ne po drejtojmë fushatën me idenë se fati i demokracisë sonë varet nga zgjedhjet, pasi kështu është”, thotë menaxherja e fushatës për rizgjedhjen e zotit Biden, Julie Chavez Rodriguez në një konferencë me telefon me gazetarët.
Zoti Trump, i cili ndër të tjera përballet edhe me 91 akuza penale lidhur me dyshimet se bëri përpjekje për të përmbysur fitoren e zotit Biden, argumenton se janë demokratët ata që po përpiqen të minojnë demokracinë duke përdorur sistemin ligjor për të penguar fushatën e rivalit kryesor të presidentit.
“Joe Biden dhe aleatët e tij janë një kërcënim i vërtetë për demokracinë tonë”, shkruan në një memorandum këtë javë këshilltarët kryesorë të fushatës së zotit Trump, Chris LaCivita dhe Susie Wiles. “Në fakt, në një mënyrë të paparë më parë në historinë tonë, ata po bëjnë një luftë kundër tij.”
Përmendja e traumave kombëtare nga Presidenti Biden, shpesh duke bërë thirrje për veprim, është bërë karta e tij politike. Tragjeditë kanë përcaktuar jetën e vetë presidentit, nga aksidenti me makinë i vitit 1972 që i mori jetën gruas së tij të parë dhe vajzën e mitur, deri te vdekja e të birit Beau nga kanceri i trurit në moshën 46-vjeçare në vitin 2015.
Në vitin 2020, zoti Biden fitoi për herë të parë duke premtuar se do të shëronte “shpirtin e kombit” pasi tha se ajo që e shtyu të hynte në garë për President ishte kur pa grupet e urrejtjes që marshonin në Çarlotsvill të Virxhninias, me pishtarë dhe svastika në vitin 2017.
Në vend që të premtojë të kapërcejë ndasitë e thella politike të vendit, siç bëri katër vjet më parë, Presidenti Biden do të theksojë se si ish- Presidenti Trump dhe mbështetësit kryesorë të lëvizjes së tij “Make America Great Again” paraqesin kërcënime ekzistenciale.
“Kandidati kryesor i një partie të madhe në Shtetet e Bashkuara po kandidon për president në mënyrë që të mund të shpërbëjë dhe shkatërrojë sistematikisht demokracinë tonë”, thotë Michael Tyler, drejtori i komunikimit i fushatës së Presidentit Biden.
Edhe nëse një tjetër kandidat e mund zotin Trump në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, ekipi i zotit Biden argumenton se fituesi do të ishte mjaft i ngjashëm me ish-presidentin dhe se temat e fushatës do të ishin të ngjashme.
Shumica e amerikanëve janë të shqetësuar për të ardhmen e demokracisë në zgjedhjet e ardhshme megjithëse se çfarë konsiderojnë kërcënime ndaj demokracisë varet nga prirja e tyre politike.
Fushata e zotit Biden premtoi gjithashtu se do të mobilizohet gjerësisht për të shënuar më 22 janar, përvjetorin e vendimit të Gjykatës së Lartë që legalizoi abortin në mbarë vendin për gati 50 vjet, përpara se gjykata e lartë të anulonte vendimin në qershor të vitit 2022.
Ekipi i zotit Biden ka argumentuar se të drejtat e abortit dhe demokracia janë të ndërthurura në zgjedhjet e ardhshme duke u mbështetur në paralajmërimet e presidentit Trump dhe siç i quajnë demokratët “ekstremistët MAGA”. Sipas demokratëve ishte lufta e republikanëve kundër abortit që ndihmoi demokratët të sfidonin precedentin historik duke mbajtur shumicën në Senat dhe duke humbur vetëm me një diferencë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndaj republikanëve në zgjedhjet e Kongresit në nëntorin e vitit 2022./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...