Google ADS

Sigurimet shëndetësore, sfidë edhe gjatë vitit 2024

12:16 | 3 Janar 2024
A Z

Ndonëse në programin e saj politik, qeveria Kurti kishte premtuar zbatimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, kjo ende nuk ka ndodhur. Opozita, ndërkaq, vlerëson se kjo çështje do të mbetet sfidë si për shëndetësinë ashtu edhe për qeverinë, edhe gjatë këtij viti që sapo kemi hyrë.

Ligji për Sigurimet Shëndetësore ndonëse ishte miratuar gjashtëmbëdhjetë vite më parë, ai nuk u zbatua asnjëherë viteve në vazhdim, ndërsa mbetet pikëpyetje nëse do të fillojë së zbatuari edhe këtë vit. Qytetarët, por edhe opozita, presin nga Qeveria që ta funksionalizojë këtë shërbim, ndonëse gjatë vitit që e lamë pas nuk  është as një hap në këtë drejtim.

Deputeti LDK-së, Avdullah Hoti, ka fajësuar qeverinë aktuale pasi, sipas tij,  projekti për sigurimet shëndetësore ka qenë i gatshëm. Hoti ka theksuar se as gjatë këtij viti, kjo qeveri nuk ka ndonjë plan që të fillojë me sigurime shëndetësore.

“Sigurimet shëndetësore, projekt që ka qenë i gatshëm qysh nga qeveria Mustafa dhe mandej edhe në qeverinë Haradinaj, nuk ka shkuar tutje dhe  nuk është zbatuar për shkak të pandemisë. Por, as në vitin 2024 nuk ka ndonjë plan që do të fillohet me sigurime shëndetësore”, tha Hoti.

Edhe deputeti i AAK-së, Shëmsedin Dreshaj, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, thotë se procesi i sigurimeve shëndetësore ka ngecur si pasojë e mosgatishmërisë politike dhe jo asaj qytetare.

“Mendoj që është obliguese që ne të fillojmë të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në krijimin e fondit të sigurimeve shëndetësore dhe sigurimet shëndetësore të jenë ato që çojnë përpara procesin e prosperitetit të shëndetësisë. Nuk është mirë 15 vite pas themelimit si shtet, të mos kemi sigurime shëndetësore. Ne duhet të evokojmë, që ky fond të krijohet sa më shpejt”, theksoi Dreshaj.

Ndërsa, nga Shoqata për të Drejtat e  Pacientëve në Kosovë kanë thënë për Radio Kosovën se pa fillimin e sigurimeve shëndetësore, nuk mund të pritet një reformë rrënjësore në sistemin shëndetësor.

Ndërkaq, përveç çështjes së sigurimeve shëndetësore, sfidë për shëndetësinë gjatë këtij viti vazhdon të mbetet ikja e mjekëve, infermierëve, anesteziologëve, mungesa e furnizimit me barna si dhe mungesa e higjienës./rtk

Të ngjashme