Sektori i Arsimit në Kosovë edhe gjatë vitit 2023 u përcoll me shumë dinamika.
Për dallim nga viti i kaluar në vitin 2022 që procesi i mësimit filloi me vonesë për shkak të grevave, në 2023-ën, mësimi filloi, por munguan mjetet mësimore.
Atë kohë përmes një konference për media, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci bëri të ditur se obligimi për t’i blerë tekstet shkollore do të iu bartet prindërve.
Pasi siç ishte shprehur ajo, MASHTI ka dështuar që të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizim të shkollave me libra.
Prindërit u detyruan të aplikonin në platformën “e-Kosova” për t’i marrë mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore.
Nagavci kishte thënë se do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.
“Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, kishte njoftuar ministrja.
Përveç barrës për t’i blerë librat, prindërit u përballën me shumë probleme në platformën “e-Kosova”, pasi pak orë pasi u publikua linku për aplikim për subvencionime, platforma kishte rënë nga sistemi.
Nuk kishte si të mungonte një reagim nga Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj,
Jasharaj kishte thënë se ministrja Nagavci për vendimin e marrë do duhej të i kërkonte falje prindërve dhe mësimdhënësve.
Çështja e teksteve shkollore përplasi opozitën me ministren Nagavci.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për çështjen e teksteve shkollore, duke thënë se ka shkelje flagrante të ligjit.
Pas pesë orëve debat, të zgjedhurit e popullit përfunduan diskutimet për këtë çështje.
Gjatë debatit, partitë opozitare akuzuan Qeverinë se ka dështuar të sigurojë librat shkollorë për fëmijët, derisa ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci arsyetoi vendimin për subvencionim të prindërve për sigurimin e librave shkollorë.
Blerja e librave nga vetë prindërit, nuk ishte e gjitha çfarë ndodhi në arsim gjatë vitit 2023.
Në testin “PISA 2022” Kosova ka performuar me rezultate shumë të dobëta krahasuar edhe me testimin paraprak, ndërkaq ekspertë dhe zyrtarë arsimorë shprehin shqetësim për qasjen mekanike në mësimnxënie.
Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Vendi ynë ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Arbresh.info atëkohë u shpreh se lajmi për rezultatet e testit të PISA-s, nuk e ka gëzuar askënd.
Sipas tij, nuk është koha që të drejtohet gishti nga askush, por të gjithë së bashku duhet të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që të ndryshohet gjendja në arsim.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se rezultatet e testit PISA ku Kosova u rendit pothuajse në vendet e fundit, kanë qenë të pritshme.
Edhe rezultatet e testit PISA, ngjallën reagime të shumta te opinioni publik, ku u kërkua edhe dorëheqja e ministres, Arbërie Nagavci.
Mbetet për tu parë se me çfarë do të përballet sektori i arsimit në vitin 2024./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Rrahmani jep një mesazh të fortë në konferencë për media pas...
Skandal pas skandali në Rumani/ Tentohet të sulmohet Edon Zh...
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend