Shumë marrëveshje e pak bashkëpunim ekonomik Kosovë-Shqipëri

19:10 | 2 Janar 2024
KRG

Bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e ekonomisë, në zbatuashmëri lë shumë për të dëshiruar.

Në aspektin legjislativ ajo është e kompletuar, por ankesat e bizneseve janë të mëdha në zbatueshmëri.

Kështu vlerësojnë përfaqësues të ekonomisë, duke theksuar se për vitin 2024, ky bashkëpunim duhet të jetësohet më seriozisht, duke krijuar politika të përbashkëta.

Kosova dhe Shqipëria kanë arritur dhjetëra marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, por përfaqësuesit e bizneseve theksojnë se shumë prej tyre nuk zbatohen në praktikë. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, thotë se bizneset e vendit ankohen për barriera të ndryshme me Shqipërinë, ndër vite.

“Po na mungon një trup qeveritarë që do t’i mbikëqyrte në baza të rrepta ditore implemtimin e këtyre marrëveshjeve. Kur po takohen dy qeveritë, dy kryeministrat po i nënshkruajnë marrëveshjet, por implementimi po varet prej stafit civil dhe aty çalon për shkak të interpretimeve. Ka marrëveshje që ende nuk ka filluar me u zbatu, ne kemi ankesa të shumta nga bizneset tona që eksportojnë në Shqipëri për barrierave të ndryshme, që nuk janë eliminua përkundër asaj që janë nënshkruar shumë marrëveshje”, thotë Rafuna.

Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për dialog dhe partneritet të mirëfilltë, vlerëson për Radio Kosovën, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu. Sipas tij, bashkëpunimi ekonomiko-politik në mes dy shteteve, është në pikën më kritike.

“Nuk mund të avancojmë vetëm me një fotografi nga mbledhjet e qeverive, por kemi nevojë për implementim të këtyre marrëveshjeve, kemi nevojë të shqyrtohet kjo ekonomi ne mes të dy vendeve, dhe nëse krahasohet  këmbimi  tregtarë apo bashkëpunimi ekonomik në mes dy vendeve, do të ishte një këmbim tregtarë në mes dy kompanive të mëdha dhe jo mes dy shteteve. Këto raporte duhet të depolitizohen, të ketë transparencë me tepër dhe në këtë drejtim”, thotë Gërxhaliu.

Ekspertët vlerësojnë se Kosova dhe Shqipëria, duhen që të bëjnë më shumë në aspekt të rritjes së fuqisë prodhuesve në mënyrë që të mos varemi shumë nga importet e vendeve të ndryshme./RTK

Të ngjashme