Kurti, Konjufca e Sveçla vizitojnë në shtëpi kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin

20:41 | 31 Dhjetor 2023
E.H

Në ditën e fundit të vitit, kryeministri i vendit mes vizitave të shumta, ka vizituar edhe kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi i cili para tri dite doli nga zyra e tij.

Bashkë me Kurtin ishin edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla si dhe kryetari i Mitrovicës Veriut, Erden Atiq, përcjell Arbresh.info.

Të mbledhur të gjithë në shtëpinë e Hetemi, ky i fundit i njoftoi me punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar.

“Kryetari Lulzim na tregoi për punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, për rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar. Na njoftoi për aq shumë palë që i pret gjatë ditës, përditë, çdo orë. Ua dëgjon me vëmendje ankesat e kërkesat dhe i shqyrton ato me seriozitet e i trajton me shpejtësi. Serbishtja e tij nuk është aq e mirë, ashtu qysh nuk është e mirë as shqipja e serbëve në Leposaviq, mirëpo shumë mirë po merren vesh sepse e kanë qëllimin e mirë, interesimin e njëmendtë dhe interesin e përbashkët për mirëqenie dhe të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim. Lulzim Hetemi është udhëheqës i drejtë dhe punëtor”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

‘Në festën e Vitit të Ri në gjirin familjar ishin edhe Kosovarja, vajza e Kryetarit, dhe Albaniku, të dy mbesë e nip të dëshmorës Fatime Hetemi, e që pardje u bënë pjesë e 325 rekrutëve të rinj të cilët iu bashkuan ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë së Kosovës”, shtoi Kurti.

Tutje, Kurti bëri të ditur se pas vizitës, ai dhe ministrat u kthyen në Shtëpi, ndërsa Hetemi u nis drejt zyrës së tij në Leposaviq sipas tij, për të punuar dhe festuar me kolegët e tij dhe ushtarët amerikan.

“Pas kësaj vizite sonte në familjen e Lulzim Hetemit, ne u kthyem në Prishtinë për të vazhduar festën, ndërkaq ai u nis për në zyrën e tij në Leposaviq për të punuar dhe festuar me disa kolegë të tij si dhe me policët tanë e ushtarët e KFOR-it amerikan”, shkroi Kurti.

Mes tjerash, Kurti thotë se Lulzim Hetemi është kryetari më i rëndësishëm.

“Viti 2023 ishte fort i veçantë për Lulzim Hetemin: nuk ia ka marrë mendja që do të bëhet kryetar komune e mandej aq më pak që do ta pres ndërrimin e motmoteve si kryetar komune. Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është kryetari më i rëndësishëm, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm i komunës”, përfunoi shkrimin Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme