Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, vendosi sot të zëvendësojë masën e sigurimit nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore ndaj ish kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, kryetare e kësaj gjykate, për të cilën avokatët e zotit Berisha kishin kërkuar përjashtimin nga trupa gjykuese, duke pretenduar një konflikt interesi.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi një autorizim Kuvendit për të forcuar masën e sigurisë ndaj zotit Berisha, për shkak se ai për disa javë rresht refuzoi të përmbushte masën e parë detyrim paraqitje, duke e quajtur si antikushtetuese.
Gjykata e Posaçme urdhëroi deputetin Berisha të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.
Sipas procedurave, mbikëqyrja policore parashikon shërbime të rregullta pranë banesës së zotit Berisha për të ndjekur respektimin e kësaj mase nga ana e tij.
Avokatët e zotit Berisha thanë se ky vendim do të apelohet më tej brenda afatit ligjor, por kufizimet e komunikimit për një deputet janë, sipas tyre, të paligjshme, sepse duheshin bërë me një autorizim nga Kuvendi.
Ish kryeministri nën hetim Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim në lidhje me çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, gjatë të cilave SPAK-u dyshon se ai me akte nga më të ndryshmet ka ushtruar ndikim dhe presion, duke favorizuar dhëndrrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, që u mbush shpejt me një grup pallatesh. /VOA
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...