Fillimisht ishte Gjykata e Lartë e Kolorados që vendosi se ish-Presidenti Donald Trump nuk do të kandidonte për president. Më pas, sekretarja demokrate e shtetit të Meinit vendosi të njëjtën gjë. Të dyja vendimet janë historike.
Gjykata e Kolorados ishte gjykata e parë që mori një vendim ndaj një kandidati për president duke u bazuar tek një kufizim që parashikon kushtetuta, dhe që është përdorur rrallë kundër atyre që janë “përfshirë në kryengritje”.
Sekretarja e Shtetit të Mein është zyrtarja e parë e lartë që merr përsipër çështje zgjedhore, dhe që ndërmori një veprim të tillë për të hequr një kandidat presidencial nga fleta e votimit, sipas së njëjtës dispozitë.
Zbatimi i të dyja vendimeve është pezulluar në pritje të zhvillimit të proceseve ligjore.
Kjo do të thotë se emri i Trump do të vazhdojë të jetë në fletën e votimit në Kolorado dhe Mein dhe se fati i tij politik tashmë ndodhet në duart e Gjykatës së Lartë.
Vendimi i Mein ka të ngjarë të mos hyjë kurrë në fuqi. Por ndikimi i tij është trysnia në rritje ndaj gjykatës më të lartë të vendit për të thënë qartë: A mundet Trump të kandidojë ende për president pas sulmit me 6 janar në 2021?
Pas Luftës Civile, vendi ratifikoi Amendamentin e 14-t për të garantuar të drejtat për ish-skllevërit dhe për shumë arsye të tjera. Në të gjithashtu u përfshi një dispozitë, (pika tre e Amendamentit 14), miratuar me synimin për të mbajtur larg detyrave zyrtare, ata që mbështeten konfederatën, raporton abcnews.al.
Pika tre e këtij amendamenti ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas ka mbështetur një kryengritje.
Por po në të parashikohen rastet se kur kjo dispozitë mund të mos zbatohet. Për këtë kërkohet një votim i secilës dhomë të Kongresit, me dy të tretat e votave. Kongresi e hoqi këtë kufizim për shumicën e atyre që kishin bashkëpunuar me Konfederatën më 1872-in dhe dispozita nuk u përdor.
Por mesa duket po gjen zbatim pas 6 janarit 2021, por çfarë mund të ndodhë në rastin e Trump?
Ish-Presidenti Trump tashmë po ndiqet penalisht, i akuzuar për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 që kulmoi me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit, më 6 janar.
Pika 3 e Amendamentit 14, nuk kërkon që zyrtari të jetë dënuar penalisht në mënyrë që të zbatohet. Dhjetra padi janë ngritur për të hequr Trump nga procesi zgjedhor, duke mbështur prentendimet se ai është përfshirë në kryengritje më 6 janar.
Të gjitha paditë dështuan deri në vendimin e gjykatës së Kolorados. Po kështu dhjetra sekretarëve të shteve u është kërkuar që ta heqin nga fleta e votimit në zgjedhjet paraprake. Të gjithë kanë thënë se nuk gëzojnë autoritetin për ta bërë një gjë të tillë pa një urdhër gjykate.
Sekretarja e Shtetit të Mein, Shenna Belloës, ishte e para mes tyre që mbajti një qëndrim ndryshe. Gjykata e Lartë nuk ka marrë kurrë një vendim lidhur me pikën 3 të Amendamentit 14.
Ajo ka të ngjarë ta shqyrtojë këtë çështje pas apelimit të vendimit të Kolorados nga Partia Republikane e këtij shteti.
Po kështu Trump pritet të paraqesë së shpejti një ankim për çështjen. Vendimi i Bellows nuk mund të apelohet drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë të vendit, pa ndjekur një process gjyqësor, duke filluar nga një gjykatë në Mein.
Pas vendimit të Kolorados kishte shumë gjasa që gjykatësit e lartë të shqyrtonin çështjen, por rasti i Mein heq çdo dyshim, raporton abcnews.al.
Trump humbi Koloradon në vitin 2020 dhe ai nuk ka nevojë që të fitojë në këtë shtet për të siguruar një shumicë në Kolegjin Zgjedhor vitin e ardhshëm. Por ai fitoi një nga katër elektorët e shtetit të Meinit në 2020, ndaj dhe vendimi i Bellows do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë tek shanset e tij për të fituar nëntorin e ardhshëm.
Derisa të vendosë Gjykata e Lartë, çdo shtet mund të përcaktojë standardin e vet nëse Trump, apo kushdo tjetër, do të jetë në fletën e votimit. Ky është pikërisht kaosi ligjor që Gjykata e Lartë duhet të parandalojë.
Avokatët e Trump kanë disa argumente kundër skualifikimit të tij nga gara zgjedhore.
Së pari, sipas tyre nuk është e qartë nëse pika 3 zbatohet për rastin e presidentit. Fjala zyrtar e përdorur në Kushtetutë sipas tyre, nuk do të thotë president.
Së dyti, edhe nëse zbatohet për presidencën, thonë ata, kjo është një çështje “politike”, mbi të cilën duhet të vendosin zgjedhësit në kutinë e votimit, jo gjykatësit të cilët, nuk janë votuar për të marrë detyrën që kanë.
Së treti, pohojnë avokatët, nëse gjyqtarët duan të përfshihen, ata po shkelin të drejtën e Trump për një procedurë të drejtë ligjore duke vendosur për skualifikimin e tij nga gara, pa një lloj procesi gjyqësor.
Së katërti, ata argumentojnë se 6 janari nuk ishte një kryengritje në atë kuptim që e konsideron pika 3, por ishte më shumë trazira.
Por sipas tyre edhe nëse do të ishte një kryengritje, Trump nuk është përfshirë në të, ai thjesht ka përdorur të drejtën që i jep kushtetuta, të lirisë së shprehjes.
Sigurisht që ekspertët ligjorë që kërkojnë skualifikimin e Trump kanë argumentet e tyre kundër. Sipas tyre çështja është shumë e thjeshtë: 6 janari ishte një kryengritje dhe Trump e nxiti atë, ndaj dhe ai duhet të skualifikohet bazuar tek kjo dispozitë.
Megjithatë ankimet në gjykatë me synim skualifikimin e Trump, shumica e gjyqtarëve i kanë hedhur poshtë paditë për shkak të çështjeve teknike, përfshirë atë se gjykatat nuk kanë autoritetin t’u tregojnë partive, se kë të vendosin në fletëvotim.
Sekretarët e shteteve i janë shmangur gjithashtu, duke u thënë zakonisht atyre që kanë kërkuar të bllokojnë Trump, se ata nuk kanë autoritetin për ta bërë këtë, nëse nuk ka një urdhër gjykate.
Ekspertët ligjorë kanë paralajmëruar se nëse Gjykata e Lartë nuk e zgjidh qartë çështjen, kjo mund të çojë në kaos në nëntor, ose në janar 2025, nëse Trump fiton zgjedhjet, raporton abcnews.al.
Mein ka një proces të pazakontë në të cilin një sekretari të shtetit i kërkohet të zhvillojë seanca dëgjimore publike mbi sfidat që u bëhen politikanëve për t’u përfshirë në fletëvotim dhe më pas merret një vendim.
Grupe të shumta votuesish në Mein, përfshirë një grup dypartiak ish-ligjvënësish të shtetit, paraqitën një sfidë të tillë, gjë që nxiti vendimin e Bellows.
Kjo e fundit është një demokrate, ish-kryetarja e një organizate që mbron të drejtat civile. Në profilet e saj në median sociale ajo ka mjaft postime me kritika ndaj Trump.
Avokatët e Trump i kërkuan asaj që të tërhiqej nga çështja, për shkak të konfliktit të interesit, duke përmendur postimet e saj ku 6 janari konsiderohej “kryengritje” dhe ankesat se pse Senati e shpalli të pafajshëm Trump mbi këtë çështje, pas ngritjes së akuzave në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ajo refuzoi, duke thënë se nuk do të merrte vendim bazuar në opinionin personal të saj.
Por me këtë vendim ajo po vendos një precedent, sipas kritikëve. Teorikisht, zyrtarët zgjedhorë në çdo shtet mund të vendosin se një kandidat është i papërshtatshëm për të kandiduar, bazuar në një teori të re ligjore rreth pikës 3 dhe t’i japin fund kandidimit të tyre.
Konservatorët argumentojnë se pika 3 mund të zbatohej edhe për Nënpresidenten Kamala Harris, duke sjellë si shembull, se ai u përdor për të penguar marrjen e detyrave zyrtare nga ata që kishin dhuruar shuma të vogla për mbështetës të Konfederatës.
Nisur nga kjo ata ngrenë pyetjen: A nuk mund të përdoret kjo pikë edhe kundër Harris, në kushtet kur ajo ka mbledhur para, për të arrestuarit gjatë trazirave që pasuan vrasjen e afr0- amerikanit George Floyd, nga policia e Mineapolisit në 2020?
Sigurisht. Bellows është një demokrate dhe të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados janë emëruar nga demokratët. Gjashtë nga 9 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të vendit janë emëruar nga republikanët, tre nga vetë Trump, raporton abcnews.al.
Por në vendimet e tyre gjykatat jo gjithmonë ndahen në linja partiake. Vendimi i Kolorados ishte 4 me 3, që do të thotë se tre të emëruar nga demokratët, nuk janë dakord me heqjen e Trump nga fleta e votimit.
Disa gjyqtarë konservatorë, kanë mbrojtur idenë e përdorimit të pikës 3 kundër ish-presidentit.
Por tashmë mbetet për t’u parë se si do ta trajtojë këtë çështje Gjykata e Lartë.
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse
Përgjigjja e shkencëtarëve: Si ndikon menjëherë në shëndet k...
Lela nuk ndjehet mirë pas Prime, çka i ndodhi?
Belgjika vazhdon të mbetet pa qeveri që nga qershori
Gjermania përpilon listën e bunkerëve që mund të ofrojnë str...
Moti në Shqipëri, temperaturat arrijnë deri në -2 gradë