Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka pranuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, por se nuk mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu thotë se drejtësia është e pavarur vetëm kur është në përputhje me vullnetin e popullit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Drejtësia do të duhej të ishte e pavarur dhe ajo është e pavarur vetëm në sensin ndërinstitucional. Jo rastësisht aktgjykimet kanë frazën ‘’Në emër të popullit’’, sepse sikur secili institucion shtetëror i nënshtrohet vullnetit të shprehur të popullit që i shërben dhe prej nga e merr legjitimitetin. Pra, drejtësia është e pavarur vetëm kur ajo njëmend është në përputhje me vullnetin e popullit. Cenimi që Serbia për mbi 20 vjet i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit me në krye akter terrorist si Milan Radojçiq, veriu, siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai”, shkruan Haxhiu.
Sipas saj, po të mos i hiqej fletarresti Radoiçiqit, operimi i tijj në veri do të ishte i pamundur.
“Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”, shkruan tutje Haxhiu.
Ministrja thotë se Prokuroria duhet t’i shërbejë Repubikës dhe vullnetit të popullit.
“Republika e Kosovës nuk i përket Prokurorisë, ajo sikur secili institucion duhet t’i shërbej Republikës dhe vullnetit të popullit ose nëse ka pasur presione nga dikush nga politika asokohe mos le ta ushtrojë detyrën në mungesë guximi sepse kështu e merr në qafë Republikën. Vullneti i popullit është i qartë: ai do drejtësi dhe shtrirje të rendit e ligjit, pa dallim. Për këtë vullnet breza e breza të tërë janë angazhuar dhe sakrifikuar, mijëra të tjerë kanë dhënë dhe jetën dhe nuk ka njeri në botë kushdo qoftë ai që del dhe na thotë unë ja hoqa fletarrestin Radojçiqit dhe pikë. Kjo nuk kalon!”, përfundon Haxhiu.
Ndryshe, në konferencën e fundvitit të organizuar nga Prokuroria Speciale, Isufaj u shpreh “Unë e kam dhënë pëlqimin. Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...