Plagosja e të riut në Fier, policia sqaron ngjarjen

21:18 | 28 Dhjetor 2023
D.H

Policia e Fierit ka sqaruar nëpërmjet një njoftimi për mediat, konfliktin që ndodhi mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit, ku një efektiv policie plagosi me armë zjarri një person.

Sipas Bluve, 26-vjeçari që ka mbetur i plagosur ka tentuar të hyjë në një rrugë, e cila ishte bllokuar prej forcave të rendit, për shkak të planit për mbarëvajtjen e një koncerti.

“Rreth orës 19:20, në vendin e quajtur “Ish Globi”, në qendër të qytetit të planizuar me shërbim, shërbimet e Policisë kishin bllokuar një segment rrugor për zhvillimin e një koncerti.  Shtetasi D. B, 26 vjeç duke drejtuar një automjet tip “Volksëagen” është afruar te punonjësit e Policisë dhe ka tentuar të futet në rrugën e bllokuar”, njofton policia e Shqipërisë

Gjatë tentativës së tij, i riu është konfliktuar edhe fizikisht me patrullën e policisë, duke goditur me grusht efektivin me iniciale Sh.J., i cili ka reaguar duke e qëlluar atë me armën e shërbimit për vetëmbrojtje.

“Punonjësit e Policisë nuk e kanë lejuar të futet brenda perimetrit të sigurisë dhe në atë momentet shtetasi D. B.,  ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar me grushte në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në gojë. Inspektor Sh. J., në kushtet e vetëmbrojtjes ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur në këmbë shtetasin D. B. Menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë të cilët kanë dërguar menjëherë për në spital për ndihmë mjekësore shtetasin D. B., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, sqaron policia e Shqipërisë.

Sakaq, inspektori i policisë që u bë protagonist në ngjarje është shoqëruar në spital për t’u trajtuar nga mjekët me ndihmë mjekësore dhe më pas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, veprimet hetimore për rastin po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në drejtimin e Prokurorisë për shmangur konfliktin e interesit. Në përfundim të hetimeve, AMP do të japë informacion të zgjeruar në lidhje me këtë ngjarje./a2cnn

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme