Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, lidhur me tensionet Kosovë-Serbi, tha se “ky problem nuk ka zgjidhje ushtarake, por mund të zgjidhet me dialog”.
Në një intervistë për Anadolu, ambasadori Angılı bëri vlerësime për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet tregtare Turqi-Kosovë dhe regjistrimin e popullsisë që pritet të bëhet në Kosovë në muajin prill 2024.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për problemin kosovaro-serb”
Angılı tha se mbështetja e tyre për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fusha të caktuara nuk është kundër asnjë shteti tjetër, përfshirë Serbinë.
“Si Turqi, si shumë vende të tjera, ne besojmë se e vetmja rrugë për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem, por mund të zgjidhet me dialog”, tha ai.
Duke theksuar se Forca Paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) është një forcë e domosdoshme për të siguruar një mjedis të sigurt në Kosovë, Angılı vuri në dukje se ka pasur përparim në kapacitetin ushtarak të këtij misioni, pasi Turqia mori komandën e KFOR-it për një vjet, që nga tetori i këtij viti.
“Synimi në marrëdhëniet Turqi-Kosovë në 2024, thellimi dhe diversifikimi i bashkëpunimit ekonomik”
Duke folur rreth marrëdhënieve tregtare në mes të Turqisë dhe Kosovës, Angılı tha se “ne mendojmë se nëse e diversifikojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim ekonomik, në vend që ta shohim vetëm si tregti, do të përfitojë edhe punësimi edhe eksporti i Kosovës. Ky do të jetë një nga synimet më të rëndësishme në marrëdhëniet Turqi-Kosovë në vitin 2024: thellimi dhe diversifikimi i bashkëpunimit ekonomik”.
Angılı vuri në dukje se Kosova ka nevojë për investime në fushën e ndërtimit dhe energjetikës në periudhën e ardhshme dhe theksoi se kompanitë turke me përvojën e tyre mund të jenë partner i rëndësishëm në këtë drejtim.
“Ka kompani nga Turqi të gatshme të investojnë këtu. Me investimet dhe prodhimin që bëjnë këtu, ata mund të eksportojnë në BE dhe SHBA, duke rritur kështu punësimin dhe eksportin e Kosovës. Kjo e bën bashkëpunimin ekonomik mes nesh më të qëndrueshëm. Investimet aktuale turke në Kosovë tashmë janë një shumë e konsiderueshme me mbi 400 milionë euro. Me fjalë të tjera, kjo është një shifër prej përafërsisht pesë për qind të bruto produktit vendor të Kosovës. Kompanitë turke punësojnë më shumë se 10 mijë qytetarë të Kosovës. Kjo është arsyeja pse këtu shfaqet një model i favorshëm”, theksoi ai.
Duke folur për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të bëhet në Kosovë në prill të vitit 2024 për komunitetin turk në vend, Angılı tha se beson që “komuniteti turk do t’i qaset çështjes së regjistrimit si një çështje kombëtare mbi politikën. Shpresojmë se do të shohim numrin real të turqve të Kosovës pas përfundimit të regjistrimit”.
Angılı shtoi se turqit e Kosovës janë një element thelbësor në vazhdimësinë e Kosovës si një republikë e pavarur, e lirë dhe e vetëmjaftueshme./rtk/
Rusia dëbon një diplomat britanik
Sot hapet ambasada e Kosovës në Bogota të Kolumbisë, e përur...
Policia shpall në kërkim personat që shihni në foto
Kurti mori pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të 7-të i...
Gresa i zgjon banorët nga gjumi, Drenusha i reagon ashpër
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...