Bajrami: Në mars bëhet stabilizimi i UP-së

18:36 | 3 Janar 2016
M. A.

Viti 2015 në sektorin e arsimit u karakterizua si viti i cilësisë nga autoritetet e sferës. Mirëpo, për shumë kohë të gjatë u bllokua puna e Universitetit të Prishtinës, për shkak të moskomunikimit në mes të rektorit, Senatit dhe dekanëve të fakultetit, e kjo nxiti pakënaqësi të shprehura edhe me protesta.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, me të ardhur në Universitet ndryshoi rregullin e studentëve për të kaluar vitin. Ai bëri që për studentët të hiqet afati i jashtëzakonshëm për provime, si dhe shtoi numrin e provimeve që të kalojnë vitin. Kjo shkaktoi pakënaqësi te studentë, e këtë pakënaqësi ata vendosen ta shprehin me protesta para Rektoratit, duke i kërkuar kthimin e rregullave të mëhershme. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Rektori iu kundërpërgjigj se duhet cilësi dhe se do të arrihet cilësia në Universitetin e Prishtinës.

Edhe përkundër protestave rektori vazhdonte punën e tij.

Por, në tetor ndërroi situata. Këshilli Drejtues i UP-së me 7 anëtarët,shkarkuan rektorin Ramadan Zjenullahu, me gjashtë vota pro.

Ky shkarkim nxiti edhe shqetësime në publik, duke bërë që të dalin në përkrahje të rektorit. Në përkrahje të Zejnullahut doli edhe Ministria e Arsimit, dhe vetë ministri Arsim Bajrami.

U organizuan edhe protesta të cilat kërkuan kthimin e rektorit në vendin e punës. Por, ato përfunduan pasi që Ministria e Arsimit e riktheu në punë rektorin.

Kjo situatë në Universitetin e Prishtinës që zgjati për një vit rresht ishte edhe brenga dhe problemi më i madh i Ministrisë së Arsimit.

Këtë e thotë vetë ministri Bajrami.

Ai në një intervistë për KosovaPress, thotë se brengë e veçantë për të dhe Ministrinë në këtë vit ka qenë UP-ja.

 

“Gjendja e përgjithshme në Universitetin e Prishtinës ka qenë një brengë e veçantë e Ministrisë së Arsimit dhe tërë çështjes së Qeverisë. Ne ishim shumë-shumë shpresëdhënës në fillim kur kemi pa kauzën e ngritjes së cilësisë dhe ministria e arsimit ka mbështetë këtë objektivë s epse kjo është një detyrim ligjor, sepse ligji për arsimin e lartë dhe statusi parashohin detyrimet e ngritjes së cilësisë, fatkeqësisht kemi qenë të zhgënjyer me mos komunikimin në mes rektorit, senatit dhe dekanëve të fakulteteve, sepse një kohë të gjatë është bllokuar senati i universitetit, janë poliralizuar vendimmarrjet në një mënyrë, është rektorit, dhe në anën tjetër senati ka dështuar në disa mbledhje, fatkeqësisht edhe studentët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre përmes protestave dhe për ministrinë e arsimit ky ka qenë një problem ndër më të mëdhenj”, tha Bajrami.

Lidhur me rikthimin e rektorit në postin e tij, u përfol se ky ishte një kthim politik. Bajrami lidhur me këtë thotë se vendimi për rikthimin e rektorit ka qenë një intervenim i domosdoshëm shtetëror, pasi që Ministria nuk ka mundur të pajtohet me degradimin e gjendjes në Universitetin publik. Ai ka treguar që ka kërkuar nga mësimdhënësit që të largojnë logjikën e shkarkimeve dhe të provojnë të dalin nga egot personale, dhe të gjejnë një zgjidhje parimore.

Ministria e Arsimit, në konsultim me rektorin, Këshillin Drejtues dhe senatin kanë vendosur që në Universitet të shpallen zgjedhjet e reja. Bajrami shpreson që deri në muajin mars të viti 2016-të Universiteti të ketë rektorin e ri, dekanë të rinj, të ketë Këshill Drejtues e Senat të ri, ku këta të fillojnë një cikël të ri të stabilitetit, në mënyrë që asnjëherë të mos bllokohen institucionet dhe universitetet, për shkak se kjo dëmton studentët në radhë të parë.

Bajrami tha se po punohet që universitetet në Kosovë të specializohen për tregun e punës, e që të mos ofrojnë shërbime të panevojshme, apo edhe drejtime të panevojshme. Ai tha se nuk dëshirojnë të rrisin inflacionin e të papunëve përmes studentëve, por që dëshirojnë që studentët t’i orientojnë drejt shkencave ekzakte.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme