Google ADS

Mbi 10 vite burgim dhe 42 mijë euro gjobë për 7 të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, njëri lirohet nga akuza

17:11 | 27 Dhjetor 2023
E.K

Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka shpallur fajtor shtatë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, duke i dënuar së bashku me 10 vite e gjashtë muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë, ndërsa njërin e ka u lirua nga akuza.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga gjykatësi, Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Florim Krasniqi u dënua me 3 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë, ndërsa Taulant Bilalli me 1 vit e gjashtë muaj burgim dhe 5 mijë gjobë.

Për veprën penale të kontrabandimit me migrantë u dënua me 2 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë edhe i akuzuari Haki Maloku.

Po ashtu për të njëjtën vepër u dënua me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë i akuzuari Bekim Hasani.

Ndërkaq, të akuzuarit Sadat e Samed Murati si dhe Koplinger u dënuan me nga 1 vit burgim secili veç e veç për veprën penale falsifikim i dokumenteve, ndërsa i akuzuari Koplinger u dënua edhe me 2 mijë euro gjobë për veprën penale për armëmbajtje pa leje.

Kurse i akuzuari Florent Krasniqi u lirua nga akuza pasi që nuk ishte provuar se i njëjti kishte kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar.

Sipas aktgjykimit, nëse të akuzuarit nuk mund ta paguajnë dënimin me gjobë, atëherë i njëjti mund të zëvendësohet në dënim me burgim duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

Po ashtu të akuzuarit secili veç e veç u obliguan të paguajnë shpenzimet e procedurës penale ashtu që secili shumën prej 200 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 100 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Në fund, sipas aktgjykimit gjykatësi Krasniqi tha se palët kanë të drejtë ankese kundër të njëjtit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 tetor 2021, Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hsani dhe Izet Koplinger, nga muaji mars 2020 deri më 24 mars 2021, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.

Akuza thotë se grupi i udhëhequr nga Florim Krasniqi i cili ka krijuar laboratorin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, në role të ndara si anëtarë të grupit kriminal përmes të pandehurve Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat Murati, Samed Murati, kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme