Kurti: I njohim targat e Serbisë pasi ajo ta zbatojë lejimin e targave RKS

13:01 | 27 Dhjetor 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 180-të ka folur edhe për vendimin e Serbisë për të njohur targat RKS.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se Qeveria do të marrë vendim për t’i lejuar veturat me targa të Serbisë për qarkullim në Kosovë, vetëm pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se autoritetet e Serbisë po e zbatojnë plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi, shkruan Arbresh.info.

“Më lejoni të them diçka edhe për vendimin e Serbisë për të njohur targat RKS. Ky vendim ndonëse i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar mes dy shteteve, dua të them fillimisht se ky vendim po vjen pas një moszbatimi më shumë se 10 vjeçar të marrëveshjeve paraprake. Përdorimi më shumë se dy vjeçar i targave nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën në veri dhe tash së fundmi si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar pas parregullsive dhe mashtrimeve në procesin zgjedhor atje.”, u shpre Kurti.

Më tej ai tha se ky veprim i Serbisë duhet të shihet si manovër e radhës për hir të pushtetit në Beograd.

“Pra targat në Kosovë  në shtator 2021 përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG 29 të ngritur përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim me 16 barrikada të ngritura për ti javë. Kurse tani po përdoren për të ulur presionin nga Perëndimi, SHBA-ja e BE-ja mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta, për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe për të maskuar dështimin e zyre në Basnjkë. Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë sesa më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit mbi bazën e shkronjës dhe marrëveshjes bazike, është një manovër e radhës për hir të pushtetit në Beograd.”, shtoi ai.

Ndërkaq vendimi i qeverisë së Kosovës për targat gjatë gjithë kësaj kohë ka qenë i bazuar në reciprocitet.

“Do të vazhdojmë të jemi parimor e konstruktiv. Vendimin tonë të barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore do ta marrim sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë që Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj”, tha kryeministri Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme