Gjykata e Lartë në Shqipëri nuk ka marrë vendim për çështjen që do të zgjidhte ngërçin dhe përplasjet brenda Partisë Demokratike, por ka vendosur ta kthejë rastin në Gjykatën e Apelit.
Në një njoftim për mediat thuhet se, “Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vendosi për “prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me një trup tjetër gjykues”.
Çështja ka të bëjë me atë se kujt i takon vula, logoja dhe drejtimi i Partisë Demokratike. Çështja në Gjykatën e Lartë ishte dërguar nga grupimi i Rithemelimit i Sali Berishës.
Kjo kërkesë është dorëzuar për vendimin e 3 marsit, kur Apeli i Përgjithshëm e ktheu për shqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë çështjen e pronësisë së logos dhe vulës së Partisë Demokratike.
Zgjedhjet e mbajtura në korrik për kreun e PD-së së përçarë në tri pjesë, ishin kundërshtuar nga një tjetër grupim, nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, dhe shtatë deputetë që e mbështesin atë.
Një grup deputetësh e kishte çuar çështjen e zgjedhjeve brenda partisë në gjykatë, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, pezullimin e kryesisë, përfshirë edhe kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës, që vazhdon të jetë kryetar i PD-së, në regjistrin e partive politike.
Situata e paqartë dhe e paqëndrueshme në PD u krijua pas 21 marsit të vitit 2022, kur Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i PD-së dhe vendin e tij e zuri Enkelejd Alibeaj. Më 25 mars të vitit 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e ka njohur si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij.
Ky vendim është apeluar nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike. Gjykata e Apelit pati vendosur që çështja të rigjykohet në shkallën e parë të gjyqësorit. Pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enkelejd Alibeaj, po ashtu dha dorëheqje.
Derisa po pritet vendimi i Gjykatës së shkallës së parë, Sali Berisha, thirri në protestë mbështetësit e tij.
Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha tha se edhe Gjykata e Lartë është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më së shumti foli për hetimet ndaj tij për rastin “Partizani” sesa për përplasjen brenda PD-së për vulën dhe logon e partisë.
“Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre”, tha Berisha.
Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar forca të shumta të policisë përreth ndërtesës së Gjykatës së Lartë.
Berisha u ul për disa minuta në trotuarin para Gjykatës së Lartë, dhe më pas marshoi bashkë me mbështetësit e tij drejt selisë së Partisë Demokratike, apo siç njihet selia e Rithemelimit.
Po sot, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për arrestimin e Berishës për rastin “Partizani”. Në kërkesë specifikohet se kërkohet “arrest shtëpie”, se duhet të ruhet nga policia dhe se i ndalohet komunikimi me këdo tjetër pos personave me të cilët jeton në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.
Para mbështetësve në selinë e partisë që ai drejton, Berisha tha se “askush dhe asgjë nuk më ndan nga ju” . Më pas hyri në selinë e partisë, ku pret vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Kuvendi i Shqipërisë më 21 dhjetor votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.
Për çfarë akuzohet Berisha?
Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se kishte abuzuar me pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë, e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.
Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.
Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.
Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.
Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion./REL/
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...