Këshilltarja e presidentes qëndron në Bosnjë dhe Hercegovinë, diskuton për heqjen e pengesave për udhëtim në dy vendet

19:56 | 26 Dhjetor 2023
E.H

Me ftesë të Këshillit të Kongresit të Intelektualëve Boshnjak, Donika Kadaj Bujupi, këshilltarja e presidentes, Vjosa Osmani, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë kësaj vizite, Kadaj-Bujupi ka realizuar takime me përfaqësues të institucioneve më të larta të vendit, duke përfshirë kryesuesin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, Qeverinë e Kantonit të Sarajevës dhe kryetarin e Kuvendit, Elvedin Okeriq, përcjell Arbresh.info.

“Përgjatë kësaj vizite, znj. Kadaj Bujupi ka takuar edhe rektorin e Universitetit Publik të Sarajevës, Rifat Skrelj, këshilltarët në kabinetin e anëtarit Beqiroviq, z. Mehmed Pargan e znj. Hoda Dediq, si dhe përfaqësuesen në krye të komunitetit shqiptar në Bosnje e Hercegovinë, znj. Elvira Dushi”, njofton Presidenca.

Në takimet e zhvilluara, diskutimet u përqendruan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve në fushën akademike, të artit, sportit, kulturës, tregtisë dhe ekonomisë.

Fokusi i takimeve ishte eliminimi i pengesave nga regjimi i vizave dhe burokraci të tjera, të cilat mund t’i pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve të përbashkëta.

“Në këtë udhëtim, znj. Kadaj Bujupi ishte e shoqëruar nga dy anëtarë të Këshillit për Komunitetet nga radhët e boshnjakëve, Agim Ferati dhe Almedin Fejza. Takimet dhe diskutimet e zhvilluara kanë sjellë një perspektivë të re dhe të pasur për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet dy shteteve”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme