Shuhet zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, banorët nuk lejohen të hyjnë në banesa

09:54 | 26 Dhjetor 2023
E.G

Pas disa orësh përballje të rrezikshme me flakët, ekipet e shpëtimit dhe forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit që shkrumboi një pjesë të qendrës tregtare në Lushnjë.

Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, mësohet se në orët e para të mëngjesit të së martës (26 dhjetor), punonjësit e zjarrfikëses kanë arritur të shuajnë flakët, ndërsa vijojnë ende të hedhin ujë në objektin e shkrumbuar, për të shmangur ndonjë riaktivizim të mundshëm të vatrave të zjarrit.

Të hënën, flakët e shpejta kapën në befasi qytetarët, duke i bllokuar në katet e sipërme të godinës shumë-katëshe.

Dhjetëra banorë u transportuan me shenja asfiksie në spitalin rajonal, ndërsa nuk janë lejuar ditën e sotme të futen në ambientet e brendshme të ndërtesës, pasi ka disa vende me nxehtësi të lartë nga pasditja e kaluar.

Në vendngjarje ishin ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Sokol Bizhga, drejtori vendor i Policisë Fier, Lorenc Panganika, drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Të ngjashme