Për ambasadorin kinez në Bashkimin Evropian, Fu Cong, lufta Izrael-Hamas ka nxjerr në pah standardet e dyfishta të Perëndimit dhe mënyrën se si e sheh Pekini atë duke humbur ndikimin në pjesën tjetër të botës.
Hamasi, grup palestinez, që udhëheq Gazën me 2.3 milionë banorë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Duke folur në Bruksel, në mesin e muajit nëntor, pak pas nisjes së armiqësive mes Izraelit dhe Gazës – më 7 tetor – Fu e ka kundërshtuar etiketimin e Bashkimit Evropian ndaj Kinës si “rivale” në skenën globale, duke thënë që nëse pikëpamjet e ndryshme për politikë të jashtme e bëjnë Pekinin si rival, atëherë Brukseli do ta kuptojë që ka shumë konkurrentë.
“Prej Lindjes së Mesme e në Afrikë, prej Azisë në Amerikën Latine, janë shumë shtete që nuk janë njëzëri me Evropën, kur është fjala për vlerat”, ka thënë ai.
“Ne mund ta vërejmë këtë nga divergjenca e përgjigjeve për krizën e vazhdueshme të Gazës në Lindje të Mesme”.
Këto komente veçse kristalizojnë përpjekjet afatgjata të Kinës për të rritur ndikimin në të ashtuquajturin Jugun Global – ku përfshihen shtetet si Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut, Pakistani, Indonezia dhe Nigeria – ku shtetet anëtare janë në të kërkim të alternativave për rendin botëror, të udhëhequr prej Perëndimit.
Konfliktet e përgjakshme në Ukrainë dhe pamjet që dalin nga Gaza, kanë shpërfaqur ndasitë globale për gjendjen e rëndë të palestinezëve dhe pakënaqësitë e vazhdueshme për atë që konsiderohet si hipokrizi e Perëndimit për përdorimin e forcës dhe qasjen ndaj viktimave civile, aspekte që Pekini synon t’i materializojë.
“Kjo është fitore e madhe për Kinën [në fushatën e saj] në Jugun Global, për të demonstruar natyrën hipokrite dhe ideologjike të politikës së jashtme amerikane kundrejt Palestinës, e cila në mënyrë indirekte ndikon në pikëpamjet e Jugut Global kundrejt luftës në Ukrainë”, ka thënë Haiyun Ma, ekspert kinez për politika të jashtme në Universitetin Shtetëror Frostburg, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Teksa presidenti amerikan, Joe Biden e ka lidhur mbështetjen për Ukrainën dhe Izraelin së bashku në një paketë financiare, në tetor – duke i përshkruar shtetet si demokraci që luftojnë armiqtë e vendosur për t’i “asgjësuar” – shumë të tjerë në vendet e zhvilluara e kanë parë këtë gjë si standard të dyfishtë.
Kina dhe shumë shtete e kanë konsideruar qasjen e Perëndimit si hipokrite, për të dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë, por për të qëndruar bindshëm mbrapa Izraelit, i cili ka pushtuar pjesë të territorit palestinez për dekada, si dhe ka krijuar vendbanime në Bregun Perëndimor.
Shtëpia e Bardhë ka nisur së fundi të jetë më kritike ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë, por shumë liderë shtetesh në Jugun Global, që historikisht e kanë mbështetur kauzën palestineze, kanë vërejtur ndryshim të qasjes së Perëndimit ndaj dy krizave.
Ekspertët besojnë se këto zbrazëtira në politikën e Perëndimit – të pllakosura nga pamjet e viktimave civile prej sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës – i japin mundësi Kinës që ta pozicionojë veten si alternativë më të mirë ndaj strategjisë politike të Uashingtonit, dhe mund të funksionojë për të minuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të fituar mbështetje globale drejt izolimit dhe ndëshkimit të Rusisë për pushtim të fqinjës së saj.
Prej sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit në Izrael, më 7 tetor, Kina e ka prezantuar veten si ndërmjetësuese për paqe, duke tentuar të zë vendin e Perëndimit.
Diplomatët kinezë në Kombet e Bashkuara dhe mediumet kineze të udhëhequra nga shteti, që transmetojnë në gjithë botën, nëpër gjuhët lokale, e kanë rritur shkallën e kritikës, duke thënë se mbështetja ushtarake amerikane për Izraelin është duke kontribuuar në luftë.
Ndërkohë, Pekini ka tentuar të rrisë ndikimin e tij, duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë, dhe duke qenë nikoqir i një konference për paqe të ministrave të vendeve arabe dhe myslimane, në nëntor.
“Ka pasur shenja me Ukrainën, por tani me luftën Izrael-Hamas, është e qartë se çfarë po tenton të bëjë Kina”, ka thënë Etienne Soula, analist kërkimor në Aleancën për Demokraci të Fondit gjerman Marshall, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Ata po e portretizojnë Perëndimin – Shtetet e Bashkuara në veçanti – si të izoluar, teksa Kina është e rrethuar me shtete arabe dhe afrikane në anën e Jugut Global”.
Litari i hollë në rastin e Ukrainës dhe Gazës
Kina ka tentuar të zgjerojë ndikimin e saj në Jugun Global për vite dhe së fundi i ka koncentruar përpjekjet në Lindje të Mesme, duke kulmuar me një marrëveshje të ndërmjetësuar kineze, që ka përmirësuar lidhjet në mes të Iranit dhe Arabisë Saudite.
Pekini ka tentuar të shesë këtë marrëveshje si fitore diplomatike, dhe si në Gazë, ashtu edhe në Ukrainë, Kina ka tentuar të bëjë deklarata të balancuara, por gjithmonë me tendencë për diskreditim të Shteteve të Bashkuara.
“Pekini dëshiron ta mbajë përgjegjës Uashingtonin për konfliktin izraelito-palestinez dhe të demonstrojë që Shteteve të Bashkuara dhe Evropës u janë zbehur kapacitetet për të mbajtur rendin aktual botëror”, ka thënë Michael Schuman, analist në Kinë në Këshillin Atlantik, në një shkrim të publikuar në nëntor.
Sa i përket Ukrainës, Pekini ka refuzuar të dënojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe i ka ofruar mbështetje ekonomike Moskës, e cila i ka ndihmuar Kremlinit që t’iu mbijetojë sanksioneve perëndimore.
Pekini ka mbajtur edhe distancë diplomatike me Kievin, pasi lideri kinez, Xi Jinping nuk ka folur drejtpërdrejt me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky 14 muaj pas nisjes së luftës.
Mirëpo Kina ka tentuar të paraqitet si palë neutrale, pavarësisht se Xi dhe presidenti rus, Vladimir Putin janë deklaruar për një partneritet “pa kufizime”, në shkurt të vitit 2022.
Pekini e ka prezantuar një propozim prej 12 pikave për paqe në Ukrainë, në muajin shkurt, i cili është hedhur poshtë në shumicën e kryeqyteteve evropiane, mirëpo Kina më vonë i ka rritur përpjekjet, duke e angazhuar Li Huin, të dërguarin e posaçëm për çështje të Euroazisë, që të udhëtojë në disa kryeqytete evropiane, përfshirë Kievin dhe Moskën.
Bisedimet nuk kanë çuar askund, andaj Pekini duket se e ka zvogëluar angazhimin diplomatik në këtë luftë, që mbush dy vjet dhe nuk i shihet fundi.
Në Gazë, Kina ka refuzuar të dënojë Hamasin, dhe vazhdon të kritikojë Izraelin për trajtimin që u bën palestinezëve, sidomos për shkak të rritjes së numrit të viktimave.
Në deklaratat e saj të para në tetor, pas nisjes së sulmit të Hamasit në Izrael, në të cilat grupi i ka vrarë 1.200 izraelitë, Kina u ka bërë thirrje të dyja palëve të tregojnë maturi dhe të angazhohen në “zgjidhjen me dy shtete”.
Yuval Waks, zyrtar i lartë në Ambasadën e Izraelit në Pekin, ka thënë se “kur njerëzit vriten, vriten nëpër rrugë, kjo nuk është koha për një zgjidhje me dy shtete”.
Soula ka thënë se qysh atëherë, Kina është më e kujdesshme në mesazhet që ia drejton Izraelit – me të cilin ka qenë duke ndërtuar lidhje të forta para nisjes së luftës – dhe në shpërfaqjen e simpatisë ndaj palestinezëve.
Megjithatë, Pekini ka tentuar të kanalizojë zërin kolektiv të shprehur prej shteteve kyçe të Jugut Global, sikurse Brazili dhe Afrika e Jugut.
“Në aspektin e suksesit, është vështirë të matet”, ka thënë Soula.
“Mendoj se Kina e ka ndjekur rrugën andej nga ka fryrë era. Kudo që shkon shumica e botës, Kina e krijon një qëndrim në atë drejtim”.
Me zemër dhe mendje
Soula dhe kolegët e tij në Aleancën për Demokraci, kanë gjurmuar mesazhet e diplomatëve kinezë dhe mediave shtetërore kineze për luftërat në Ukrainë dhe Gazë.
Një studim i shkurtit, i fokusuar në Ukrainë, ka gjetur se zyrtarët dhe mediat kineze kanë ofruar “mbulesë retorike për Kremlinin” në Ukrainë, pavarësisht qëndrimit zyrtar të Pekinit si palë neutrale në konflikt.
“Për të dobësuar demokracitë perëndimore dhe aleatët e tyre, Kina ka tentuar edhe t’i izolojë këto shtete, duke bërë apel para Jugut Global”, është thënë në raport.
“Në kontekst të luftës në Ukrainë, në mesazhet kineze vazhdimisht është çuar përpara ideja që shtetet, të cilat e mbështesin Ukrainën, janë hipokrite dhe indiferente ndaj pjesës tjetër të botës”.
Një studim i përbashkët, i publikuar në nëntor, që analizon mesazhet kineze për luftën Izrael-Hamas, ka dokumentuar se si mediat shtetërore kineze kanë përfituar prej rrjeteve globale, sidomos në Afrikë dhe Lindje të Mesme, për të fajësuar Shtetet e Bashkuara për ndikimin negativ në luftën në Gazë.
Megjithatë, është ende e paqartë se sa kanë pasur ndikim këto fushata.
Derisa lufta Izrael-Hamas e ka komplikuar argumentin e Perëndimit se pushtimi rus po rrezikon rendin botëror, Pekini nuk ka dalë si forcë vendimtare diplomatike në asnjërën luftë.
Giulia Sciorati, hulumtues në Shkollën e Londrës për Ekonomi (LSE) e fokusuar në rolin e Kinës në Jugun Global, ka thënë se ndonëse “Kina me sukses ka luajtur me pikëpamjet që ndan bota për Jugun Global”, është e paqartë nëse pozicioni i Pekinit e ka ngritur atë në pozitën e një lideri de facto të shteteve joperëndimore.
“Në letër, ky qëndrim mund të jetë në përputhje me prioritetet e Jugut Global”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.
“Mirëpo në fakt, është vërtetuar se Kina nuk ka vepruar në përputhje me pritjet e shteteve të Jugut Global, disa prej të cilave kanë kërkuar që Kina të ketë rol më të madh në negociatat për paqe”.
Sondazhet e opinionit publik e paraqesin një pikturë më të nuancuar kur bëhet fjalë për synimet e Kinës në Jugun Global.
Ndonëse sondazhet e fundit tregojnë se sentimenti kundër Kinës është rritur në disa shtete perëndimore, narrativa e Kinës ka jehonë në Jugun Global, ku Perëndimi ka dështuar të fitojë përkrahjen e shteteve si India apo vendet e Gjirit, për të sanksionojë Rusinë.
Një sondazh i publikuar në fund të shkurtit, nga Këshilli i BE-së për Marrëdhënie me Jashtë, ka gjetur se ndonëse shumica e vendeve të Perëndimit e mbështesin Ukrainën, ata që janë anketuar në Jugun Global nuk e përkrahin vazhdimin e luftës, kanë më shumë simpati për qasjen e Moskës, dhe dyshojnë në motivet e liderëve të Perëndimit.
Mirëpo një sondazh shtesë i opinionit publik, i publikuar nëntor nga trupi i njëjtë i BE-së, i realizuar në 21 shtete perëndimore dhe joperëndimore, ka gjetur se njerëzit e kanë humbur besimin në politikën perëndimore dhe ua kanë lënë në dorë qeverive të tyre që të vendosin se në cilën fuqi të madhe të varen për një problematikë specifike, sesa që të bllokohen në një bllok specifik gjeopolitik.
Eksperti Ma prej Universitetit Shtetëror Frostburg, ka thënë se politika e jashtme kineze do të përballet me shumë sfida në vjetët në vijim dhe ka mundësi të përballet me më shumë konkurrencë prej Shteteve të Bashkuara dhe BE-së në Jugun Global, ndonëse nuk ka garanci që Kina do të humbasë ndikimin nëse Perëndimi e riaktualizon veten.
“Para së gjithash, sa herë që Kina fiton në një drejtim, ajo e konsolidon dhe zgjeron atë rritje. E dyta, edhe nëse Perëndimi riaktualizohet, do të duhet kohë për të rikthyer kredibilitetin dhe për t’i kanalizuar burimet”.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...