Sulmet ajrore të Rusisë në rajonin e Khersonit, në jug të Ukrainës, shkaktuan katër të vrarë të dielën, mes tyre një burrë 87-vjeçar dhe gruan e tij 81-vjeçare, pas një sulmi në ndërtesën e tyre të banimit.
Nëntë persona të tjerë u plagosën, përfshirë një 15-vjeçar, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Prokudin.
“Nuk ka pushime për armikun,” shkroi në rrjetet sociale Andrii Yermak, shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, duke komentuar sulmin në Kherson. “Pushimet nuk ekzistojnë për ne për sa kohë që armiku i vret njerëzit tanë dhe vazhdon të jetë në tokën tonë.”
Sulme pati edhe në qytetin Kherson. Ato u ndërmorrën ndërsa Ukraina përgatitet të festojë zyrtarisht Krishtlindjet, për herë të parë më 25 dhjetor, pasi deri më tani i kishte kremtuar në datën 7 janar.
Disa ukrainas ortodoksë kremtuan Krishtlindjet më 25 dhjetor të vitit të kaluar në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kisha Ortodokse Ruse e feston lindjen e Jezusit më 7 janar.
Një katedrale në Kiev e shënoi festën e Krishtlindjes më 7 janar të këtij viti, por mesha u mbajt në gjuhën ukrainase, për herë të parë gjatë 31 viteve të pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimin Sovjetik.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy firmosi në korrik një ligj që e zhvendoste festën publike të Krishtlindjes më 25 dhjetor. Për të shënuar natën e Krishtlindjes më 24 dhjetor, Presidenti Zelenskyy iu drejtua kombit në një video të filmuar përpara Katedrales së Shën Sofisë në qendër të Kievit.
Ai i siguroi ukrainasit që luftojnë kundër pushtimit të plotë të vendit nga Rusia se “hap pas hapi, ditë pas dite, errësira po zhduket”.
“Sot ky është qëllimi ynë i përbashkët, ëndrra jonë e përbashkët. Dhe pikërisht për këtë është lutja jonë e përbashkët sot. Për lirinë tonë. Për fitoren tonë. Për Ukrainën tonë”, tha Presidenti Zelenskyy.
Khersoni nuk ishte i vetmi rajon i Ukrainës që u sulmua të dielën. Forcat ruse kryen 15 sulme me dronë gjatë natës dhe 14 nga dronët Shahed të prodhuar nga Irani u shkatërruan mbi rajonet Mykolaiv, Kirovohrad, Zaporizhzhya, Dnipropetrovsk dhe Khmelnytskyi, njoftoi forca ajrore ukrainase.
Ndërkohë, dy persona u plagosën gjatë sulmeve ruse mbi 20 qytete dhe fshatra në të gjithë rajonin e Kharkivit, në veri të Ukrainës veriore, tha guvernatori Oleh Syniehubov.
Në Rusi, një burrë u plagos në rajonin Bryansk pasi një fshat afër kufirit me Ukrainën u vu nën sulm, tha guvernatori i rajonit, Alexander Bogomaz./voa
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...