Kurti uron Krishtlindjen: Të bekuar qofshin të gjithë ata që çdo ditë punojnë për të mirën publike

20:26 | 24 Dhjetor 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka uruar festën e Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve të krishterë në vendin tonë.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka uruar edhe besimtarët ortodoksë që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetor, shkruan Arbresh.info.

“Teksa po hyjmë në javën e fundit të këtij viti, besimtarët e krishterë e festojnë Krishtlindjen! Urime Krishtlindja besimtarëve të krishterë në vendin tonë: qytetarëve të krishterë të Kosovës dhe banorëve të huaj të krishterë në shtetin tonë.”, ka shkruar Kurti.

“Lindja e Jezu Krishtit është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht, e cila përmbushë vullnetin e Perëndisë sot, tani dhe gjithmonë. Përmbushja e vullnetit të Zotit nuk njeh kalimin e kohës, por mbetet “gjithmonë tani” e përjetësisë. Ata që marrin paqen e Krishtit, vetë bëhen paqebërës dhe pjesëmarrës në lumturinë e Perëndisë.”, shtoi ai.

“Lindja e Jezu Krishtit para më shumë se dy mijë vitesh, si ardhje e lajmit të mirë mes njerëzish, përçoftë edhe më tutje çdo ditë fjalën e Perëndisë në zemrat e atyre që besuan. Urime Krishtlindja të gjithë katolikëve dhe protestantëve si dhe urime atyre ortodoksëve që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetor.:, u shpreh mes të tjerash kryeministri Kurti.

Ndër të tjera ai uroi edhe festën e Buzmit bujar duke thënë se kjo festë shënon fillimin e zgjatjes së ditës dhe ditëknelljen, që në besimet popullore shqiptare festohet nën ngrohtësinë e zjarrit të vatrave tona.

Më tej ai shkroi se të bekuar qofshin të gjithë ata që çdo ditë punojnë dhe mundohen për të mirën publike, për mirëqenien e përgjithshme dhe për të ardhmen e përbashkët.

“Të bekuar qofshin të gjithë ata që çdo ditë punojnë dhe mundohen për të mirën publike, për mirëqenien e përgjithshme dhe për të ardhmen tonë të përbashkët!”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme