Vetëvendosje në koalicion me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut në garën për pushtet

18:53 | 24 Dhjetor 2023
E.G

Lëvizja Vetëvendosje i është bashkangjitur koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kështu bëri të ditur Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti i cili theksoi se Vetëvendosja do të jetë pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim, shkruan Arbresh.info.

“Lëvizja VETËVENDOSJE i bashkëngjitet Lidhjes Europiane për Ndryshim. Sot me datë 24.12.2023, në zemër të Shkupit, gjegjësisht në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyres së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e shtabit morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, z. Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti”, shkroi Mexhiti.

Në këtë ngjarje, ai ka thënë se me inkuadrimin e Vetëvendosjes do ta bëjnë “ndryshimin e shumëpritur” edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Më gëzon fakti që në këtë ditë të bukur, frontit tonë opozitar iu bashkangjit edhe Lëvizja VETËVENDOSJE, dhe pas ndryshimit në Kosovë dhe Luginë, bashkarisht do e sjellim ndryshimin e shumëpritur edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ai.

Ndërkaq Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit tha se LVV-ja “po bëhet shtylla e katërt e këtij fronti opozitar për të sjellur ndryshimin e shumëpritur në Maqedoninë e Veriut”.

“Këtu sot po flas edhe si ish-anëtar i Aleancës për Shqiptarët, duke e ditur mentalitetin dhe frymën e strukturës së kësaj partie, i ftoj të bëhen pjesë e këtij koalicioni fitues që ta bëjmë ndryshimin e madh bashkë”, tha ai.

Ndryshe, kjo zyre do të jetë e hapur për çdo qytetarë dhe si i tillë do të shërbej si pikë e organizimit të aktiviteteve të Lidhjes Europiane për Ndryshim, bën të ditur Mexhiti./Arbresh.info/

Të ngjashme