Me dimrin vjen edhe ajri i ndotur

17:35 | 22 Dhjetor 2023
E.K

Prishtina dhe Obiliqi mbeten dy komunat me ajrin më të ndotur në Kosovë, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.

Djegiet në industri, por edhe të lëndëve të ndryshme në ekonomitë familjare shihen si shkaktare kryesore.

Në Obiliq – rreth 10 kilometra larg Prishtinës – janë edhe dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, që prodhojnë rrymë duke djegur thëngjill.

Shumë familje, po ashtu, ngrohen përmes djegies së thëngjillit.

Dhe, për rrjedhojë, ndotja e ajrit është më e theksuar gjatë vjeshtës dhe dimrit.

“Varësisht kushteve meteorologjike, konsumit të lëndëve djegëse nga ekonomitë familjare, transportit… mund të pritet edhe rëndim i situatës, sidomos në ditët kur nuk ka rrymim të ajrit”, thotë Tafë Veselaj nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ndotjen janë duke e shkaktuar grimcat e thithshme të ajrit PM10 dhe PM2.5, ekspozimi ndaj të cilave rrit rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare.

Veselaj thotë se, disa herë ditëve të fundit, niveli i këtyre grimcave i ka tejkaluar normat e lejuara deri në tri herë – sidomos në Prishtinë dhe në Obiliq.

Me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja është e rrezikshme kur mesatarja e grimcave PM10 kalon 45 mikrogramë për metër kub në 24 orë, ndërsa për grimcat PM2.5 nuk duhet të jetë më shumë se 15 mikrogramë për metër kub.

Nivelet e larta të ndotjes në ajër i konfirmojnë edhe në Institutin për Politika Zhvillimore [INDEP].

“Duke u bazuar në trendin e javëve të fundit, kur edhe institucionet e shëndetësisë i kanë alarmuar qytetarët dhe i kanë udhëzuar që ta shmangin sa më shumë daljen, gjendja e cilësisë së ajrit në vend nuk është e kënaqshme. Madje, në muajt e dimrit, mund të bëhet e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në një deklaratë me shkrim të INDEP-it.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në një njoftim të publikuar ditë më parë, tha se qyteti i Prishtinës është i zhytur në smog.

Ai i këshilloi qytetarët me sëmundje kronike që t’i shmangin daljet jashtë, sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje.

Pulmologu kosovar, Besim Morina, thotë se ajri i ndotur mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.

“Problemet e atypëratyshme nënkuptojnë efekte të dëmshme për personat që kanë sëmundje kronike. Por, ajri i ndotur mund të ketë efekte të dëmshme edhe te personat që nuk kanë sëmundje të tilla… Pra, mund të vijë deri të shfaqja e sëmundjeve të reja, si bronkiti kronik, ose ndonjë sëmundje kardiovaskulare”, thotë Morina.

Sipas OBSH-së, efektet e kombinuara të ajrit të ndotur në ambient të jashtëm dhe të ajrit të ndotur në shtëpi shkaktojnë 6.7 milionë vdekje të parakohshme në vit.

Në një raport të Bankës Botërore të vitit 2019 u tha se rreth 760 njerëz vdesin çdo vit në Kosovë, si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit.

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi Strategjinë për Energji 2022-2031, në bazë të së cilës, Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme. Në këtë mënyrë do të ulej edhe prodhimi në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, e rrjedhimisht edhe niveli i ndotjes së ajrit.

Strategjia, po ashtu, parasheh që thëngjilli të hiqet tërësisht nga përdorimi deri në vitin 2050.

Autoritetet e Kosovës morën vendim edhe për makinat që të mos regjistrohen nëse janë më të vjetra se dhjetë vjet, pasi të tillat rrisin nivelet e ndotjes në ajër.

Ndotja e ajrit është dukuri që rikthehet çdo dimër në Kosovë, por edhe në vendet përreth. Këtë javë, Sarajeva kishte ndotjen më të madhe të ajrit në botë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme