Google ADS

SPAK kërkon “arrest shtëpie” për Sali Berishën

17:08 | 22 Dhjetor 2023
E.K

Në 26 Dhjetor, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha do të ketë një tjetër betejë me Gjykatën e Posaçme, e cila e caktoi atë si datën kur do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Pas administrimit të shkresës së Kuvendit që njoftoi pasditen e së enjtes se Berisha nuk ka më imunitet, SPAK dorëzoi këtë të premte kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë, nga ajo e detyrimit për t’u paraqitur, në atë të arrestit shtëpiak.

Gjyqtarja Irena Gjoka, e kontestuar disa herë nga avokatët e Berishës, ftoi të dyja palët, SPAK dhe Berishën me përfaqësuesit e tij ligjorë, që në orën 10:00 të kësaj date të paraqiten në Gjykatën e Posaçme për të bërë parashtrimet e tyre.

Prokuroria e Posaçme kërkon ashpërsimin e masës me argumentin se ish-kryeministri Sali Berisha, nuk zbatoi në mënyrë të përsëritur masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” caktuar në Tetor nga e njëjta gjykatë.

Por nga tjetër, Berisha dhe avokatët e tij pretendojnë se nuk mund të zbatohej një masë sigurimi e dalë nga një vendim antikushtetues, sa kohë nuk u kërkua leje nga Kuvendi. Ky vendim i SPAK-ut u dërgua edhe në Gjykatën Kushtetuese, por ajo nuk e mori në shqyrtim.

SPAK po e heton Berishën me dyshimet se është përfshirë në korrupsion në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”./Tv Klan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme