Berlind Gajraku, kryetari i Listës “Guxo” në Gjermani, është njëri nga 25 përfituesit e bursës së programit për “Diplomaci Qytetare 2023” që drejtohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Kjo ministri, e drejtuar nga kryetarja e Listës “Guxo”, Donika Gërvalla-Shwarz, ka ndarë për secilin kandidat të “Diplomacisë Qytetare 2023”, nga 10 mijë euro për 10 muaj rresht, e që nga kjo do të përfitojë edhe Gajraku – ekstra nga paga e tij si kryetar.
Musliu: Donika Gërvalla-Schwarz është ministrja më e dështuar e kësaj qeverie.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ky dikasteri i drejtuar nga Gërvalla-Shwarz bënë shkelje të përditshme, ndërsa potencon se skandalet në MPJD janë të njëpasnjëshme.
Për portalin Arbresh.info Musliu pohoi se për tre vjet qeverisje, MPJD ka pasur skandal pas skandali.
“MPJD për këto tri vjet qeverisje ka bërë skandal pas skandali dhe shkeljet aty janë të përditshme. Sa i përket programit “Diplomaci Qytetare” nuk është ky grupi i parë që rekrutohet nga Ministrja. Ka qenë edhe një grup më herët, rezultatet e punës së tyre nuk dihen dhe nuk janë parë gjëkundi”, u shpreh Musliu.
Sipas saj, programi “Diplomaci Qytetare 2023” është një kamuflim i agjendave partiake nga ministrja Gërvalla-Shwarz dhe Liza Gashi.
“Ky program është një kamuflim i agjendave partiake të Gërvallës dhe Liza Gashit, aty si e dërguara e Albinit. Po ashtu, këta praktikantë të cilët paguhen më shtrenjtë se sa zyrtarët e lartë në atë Ministri, përfshi këtu edhe praktikantët nga Kosova, të cilëve u është vazhduar koha e praktikës edhe për gjashtë muaj, të jep përshtypjen se Gërvalla ka angazhuar aktivistët e vet dhe se zyrtarët me përvojë po i zëvendëson me praktikantë. Rezultati i një menaxhmenti të tillë po shihet.
Donika Gërvalla-Schwarz është Ministrja më e dështuar e kësaj qeverie. Shpresoj që praktikantët të paktën të kenë marrë një përvojë që atyre ju shërben në të ardhmen”, deklaroi Musliu.
Musliu: Gajraku nuk është i vetmi përfitues – U favorizua nga ministrja Gërvalla
Mes tjerash, deputetja e PDK-së shtoi se ka qenë gjithmonë kundërshtare e këtij narracioni, ndërsa thotë se e kupton angazhimin e një aktivisti (në këtë rast Gajrakut) në institucionet shtetërore.
“Sa i përket këtij rasti, por edhe rasteve të tjera, më duhet t´i referohem deklaratave të mija gjatë gjithë karrierës sime. Kam qenë gjithmonë kundërshtare e krijimit të këtij narracioni sepse e kam kuptuar shumë mirë rolin e aktivistit politik, po ashtu e kuptoj edhe angazhimin e një aktivisti në institucione shtetërore. Disa herë e kam thënë se VV, duke denigruar dhe duke linçuar familjarët tanë, në shumë raste edhe pa fakte, ka krijuar një precedent të cilit tani nuk mund t´i ikë dot. Në qoftë se Albin Kurti para popullit ka thënë të vërtetën, atëherë personat si Gajraku dhe të tjerë, sepse nuk është Gajraku i vetmi aty, do duhej të thirreshin në dasmë dhe ahengje familjare”, potencoi Musliu.
Musliu akuzon ministren Gërvalla se ka shpeshtuar vizitat jashtë vendit dhe se me buxhet të shtetit në vend që të lobojë për Kosovën, sipas saj, ajo mbanë takime elektorale për të rekrutuar votues për Listën “Guxo”.
“Personalisht, mendoj se po, Ministrja e ka favorizuar Gajraku, pa dashur t´ia atribuoj atij një nivel të caktuar profesional. Duke qenë tani në vitin e fundit të kësaj qeverie dhe Gërvallen e ka kapur paniku i dështimit të saj politik. Raste si ky do të shpeshtohen duke e parë si mundësi të ruaj aktivistët e vet. Njëjtë, ministrja Gërvalla, me buxhet shtetëror, ka shpeshtuar vizitat jashtë vendi ku në vend që të lobon për Kosovën, ajo mbanë takime elektorale për të rekrutuar votues për Listën Guxo. Një udhëtim i tillë ishte ai i fundit bashkë me Ministrin Faton Peci në Belgjikë”, u shpreh Musliu, duke shtuar se MPJD është sektor nacional dhe jo partiak.
“Kjo Ministre e ka shndërruar MPJD-në në task forcën e saj speciale për të përndjekur dhe për të diskriminuar zyrtarët e karrierës dhe po mundohet t´i zëvendësoj ata me militantë partiakë. Rasti i Gajrakut është një ndër 100 tjerë”, tha deputetja e PDK-së.
Krasniqi: Nuk është hera e parë që njerëzit e këtij pushteti abuzojnë me paratë e taksapaguesve
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi për portalin Arbresh.info deklaroi se ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla-Shwarz nuk paraqitet në Komision për ti fshehur këto skandale.
“Për të fshehur krejt këto skandale dhe dështime të njëpasnjëshme në diplomaci, krye diplomatja znj. Gërvalla refuzon me çdo kusht të vjen edhe në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane për të raportuar për punën e saj, ani se e ka për obligim ta bëjë këtë për shkak edhe të transparencës, por kjo nuk ka ndodhur deri më tash, përkundër insistimeve të vazhdueshme nga ana jonë”, tha Krasniqi.
Sipas deputetes së LDK-së, ky nuk është rasti i parë që ministrja në fjalë abuzon me paratë e taksapaguesve. Krasniqi përmend edhe Gani Jakupin i cili siç u raportua në media, paguhet jo më pak se 7 mijë e 500 euro për pozitën e këshilltarit të ministres Gërvalla.
“Fatkeqësisht ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm kur njerëzit e këtij pushteti janë kapur duke abuzuar me paratë e taksapaguesve, qoftë me paga si ajo e Gani Jakupit mbi 7500 euro në muaj, tendera e deri tek bursat tani që i kanë shtuar në kuadër të programit të tyre të zhvatjes së shtetit, sepse këta nuk e kanë mendjen tek populli dhe zhvillimi i vendit, nuk e kanë mendjen as të fuqizimi i diplomacisë”, u shpreh tutje Krasniqi.
Mes tjerash, Krasniqi theksoi se për tri vite qeverisje, nuk ka pasur asnjë përpjekje për të siguruar njohje të reja.
“Po bëhen 3 vite prej kur kanë marrë pushteti dhe ende nuk është prezantuar ndonjë agjendë se si do të veprohet në diplomaci, ku nuk ka pasur as përpjekje për të siguruar njohje të reja, ka stagnim të plotë në këtë pjesë, pastaj nuk ka pasur aplikim për tu bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare, etj gjë që vetëm këtë formë do të mund të faktorizohej vendi ndërkombëtarisht, por kjo nuk ka ndodhur”, tha Krasniqi.
“Këta nuk e kanë hallin tek populli dhe përmirësimi i gjendjes së vendit, synimi i tyre është pasurimi i rrethit të afërt të njerëzve përmes abuzimit me fonde publike”, u shpreh Krasniqi në fund për Arbresh.info.
Ndryshe, ditë më parë, është bërë e ditur se një këshilltar i saj, Gani Jakupi, paguhet hiq më pak se 7 mijë e 500 euro.
Një tjetër rast që u pa si skandal në këtë ministri dhe ngriti reagime të shumta në opinionin publik, është rasti me kryetarin e Listës Guxo në Gjermani, Berlind Gajraku, i cili në listën e kandidatëve të përzgjedhur për bursë në programin “Diplomaci Qytetare”, Gajraku ishte i 16.
Gajraku, do të përfitojë nga 10 mijë euro për 10 muaj, dhe kjo po cilësohet si shpërblim nga kryetarja e Listës Guxo njëherësh edhe ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla-Shwarz.
Programi “Diplomacia Qytetare 2023” ka filluar me 25 tetor dhe do të përfundoj me 25 gusht të vitit të ardhshëm./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Zjarr në Kullën Eifel, evakuhoen 1200 persona
Policia e Kosovës rritë masat e sigurisë në prag të festës K...
Lista Serbe ankohet në PZAP për moscertifikim
Guardiola konfirmon një mungesë të madhe për ndeshjen ndaj E...
Ukraina merr një miliard dollarë nga Britania dhe Japonia si...
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë vjen n...