Komisioni Evropian të premten ka njoftuar se ka miratuar një pako ndihmash prej 118 milionë eurosh për të mbështetur Autoritetin Palestinez.
KE-ja ka thënë se ndihma do të ndihmojë për të paguar pagat dhe pensionet e shërbyesve civilë në Bregun Perëndimor, ndihmat sociale për familjet në nevojë dhe mjekimin e pacientëve të dërguar në spitalet e Jerusalemit Lindor, raporton Reuters.
Bashkimi Evropian është, po ashtu, i gatshëm të vazhdojë ta ndihmojë Autoritetin Palestinez në planin afatgjatë, ka thënë kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen.
“Ne po shqyrtojmë një pako më të gjerë afatmesme për vitin e ardhshëm, për të kontribuar për stabilitetin ekonomik dhe politik të Gazës dhe të Bregut Perëndimor, sapo kushtet në terren të lejojnë këtë, si pjesë e përpjekjeve më të mëdha ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete”, ka deklaruar von der Leyen, nëpërmjet një komunikate.
Për vitin 2024, BE-ja, po ashtu, ka ndarë 125 milionë euro si ndihmë humanitare për njerëzit në Rripin e rrethuar të Gazës, ku kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se mungesa e ushqimit ka arritur në nivele të paprecedente.
“Ky është një zhvillim serioz dhe duhet të jetë alarm për mbarë botën, që të veprojë tani, për të parandaluar një katastrofë vdekjeprurëse njerëzore”, është shprehur Borrell.
“Ndihmat duhet të mbërrijnë te ata që kanë nevojë, sido që të jetë e mundur, përfshirë përmes korridoreve humanitarë dhe pauzave për nevoja humanitare”, ka deklaruar ai.
Në Gazë, lufta më e përgjakshme nisi kur grupi radikal palestinez, Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja – e sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer rreth 250 të tjerë.
Si përgjigje, Izraeli i nisi menjëherë bombardimet e pareshtura dhe pastaj pushtimin tokësor të enklavës palestineze, duke e rrënuar shumicën e veriut të Gazës, si duke i vrarë gati 20.000 palestinezë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë./REL
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...