Google ADS

Kuvendi autorizon SPAK-un për arrestimin e deputetit Sali Berisha

12:24 | 21 Dhjetor 2023
R J

Kuvendi në Tiranë miratoi sot me 75 vota pro kërkesën e SPAK-ut mbi autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha përmes zëvendësimit të masës së sigurimit.

Pas shqyrtimit në Këshillin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, për këtë kërkesë u paraqitën dy raporte në Kuvend; raporti rekomandues i shumicës së deputetëve të këshillit dhe raporti rekomandues i deputetit Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.

Të dy raportet jepnin konfirmimin për dhënien e autorizimit, ashtu si u shprehën edhe në mbledhjen e të hënës, dhe iu shpërndanë deputetëve të tjerë.

Një grup deputetësh të opozitës protestuan edhe sot me përmbysje karrigesh dhe ndezje flakadanësh.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e ftoi zotin Berisha të merrte fjalën për të dhënë shpjegimet e veta, por ai nuk pranoi, ndërsa kërkonte që punonjësit e shërbimit të largoheshin nga salla, ndaj ajo nisi menjëherë votimin.

Zoti Berisha e cilësoi edhe vendimin e sotëm një akt të paligjshëm dhe antikushtetues, një sulm politik, që kryeministri Rama ka ndërmarrë ndaj tij dhe opozitës.

Nga salla e Kuvendit me tym flakadanësh, ku socialistët votuan sërish për pak minuta materialet e radhës, zoti Berisha shkoi për të folur në tubimin para Kuvendit, ku ishin mbledhur përkrahës së tij, ku sërish theksoi korrupsionin e qeverisë Rama dhe arrogancën e shumicës socialiste

Më herët ai ka thënë se do të zbatonte vendimin e Kuvendit, nëse përmes tij autorizoheshin masat e sigurisë, por më pas tha se edhe ky hap i dytë i SPAK-ut ishte në vazhdim të masave të mëparshme, që ai i quan si antikushtetuese.

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos kalojë për shqyrtim në seancën e vet plenare kërkesën e një grupi deputetësh lidhur me masat e sigurisë që SPAK-u ka vendosur ndaj zotit Berisha, si dhe interpretim të nenit të Kushtetutës, ku flitet për arrestimin e deputetit.

Gjykata tha se kërkesa nuk ishte formalisht e rregullt, se grupi i deputetëve nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje gjykatën në çështje si konflikti i kompetencave dhe se pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

Vendimi i Kuvendit tani i dërgohet SPAK-ut dhe ky i fundit i propozon Gjykatës së Posaçme GJKKO një masë të re sigurie për zotin Berisha, i cili nuk plotësoi masën e mëparshme detyrim paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore.

Ish kryeministri Berisha është person në hetim në çështjen e procedurave të procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku dyshohet se ka favorizuar me akte te ndryshme dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, i cili u mbush më pas me një grup pallatesh./Voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme