Qeveria lokale në Sarajevë shpall gjendje alarmi për shkak të ndotjes së ajrit

11:51 | 21 Dhjetor 2023
E.K

Pushteti lokal në Sarajevë ka shpallur gjendje alarmi të enjten, pasi kryeqyteti i Bosnjë e Hercegovinës është njëri ndër qytetet më të ndotura në botë në ditët e fundit, sipas parashikuesit të cilësisë së ajrit, AirVisual.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u rendit në vendin e 11-të si qyteti më i ndotur në botë të enjten, sipas AirVisual.

Vetëm Lahores në Pakistan dhe Nju Delhi në Indi ishin dy qytetet më të ndotura se Sarajeva në gjithë botën mëngjesin e së enjtes. Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, është renditur si vendi i nëntë më i ndotur në botë të enjten.

Indeksi i ndotjes së ajrit në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës ishte 290 dhe ishte në një nivel që tregon ajër shumë të pashëndetshëm.

Problemi më i madh është përqendrimi i mikrogrimcave të rrezikshme të pluhurit prej PM 2.5, pasi në ajër kishte 245 mikrogramë për metër kub, që është 49 herë më shumë se sasia e toleruar nga standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Një përqendrim i tillë i këtyre grimcave të pluhurit kategorizohet si i rrezikshëm për shëndetin.

Për shkak të gjendjes alarmante të ndotjes së ajrit dhe rekomandimeve fillestare për banorët që të qëndrojnë sa më pak jashtë, Qeveria e Kantonit të Sarajevës shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për katër komunat që përbëjnë qytetin e Sarajevës.

Kjo do të thotë ndalim i qarkullimit nëpër qytet për automjetet me motorë EURO 3 dhe, kur është e mundur, mbylljen e të gjitha objekteve që ndotin ajrin duke emetuar pluhur.

Shkalla e lartë e përqendrimit të substancave të dëmshme në Sarajevë favorizohet nga kushtet e motit në të cilat ndodhin përmbysje të temperaturave, pasi temperaturat në trevat e ulëta janë dukshëm më të ulëta se ato në malet përreth, gjë që krijon një mbulesë të trashë mjegulle mbi qytet, ku mungon era për shpërndarjen e saj.

Meteorologët kanë parashikuar se ditën e premte pritet një erë pak më e fortë me reshje shiu, e cila duhet të favorizojë përmirësimin e cilësisë së ajrit./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme