Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadoren jo-rezidente të Letonisë për Kosovën, Elita Kuzma.
Fillimisht, kryeministri shprehu urimet e tij për ditën e pavarësisë të Letonisë që u festua muajin e kaluar, si dhe për formimin e qeverisë së re së fundmi.
Gjatë takimit, Kurti nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen dhe nënshkrimin e deklaratës së përbashkët për Kosovën nga Kryetarët e Komisioneve për Punë të Jashtme të shteteve të ndryshme, përfshirë kryetarin Rihard Kols nga Letonia, ku përmendet nevoja për qasje të barabartë e proporcionale mes palëve në procesin e dialogut, fokusin në stabilitetin e sigurinë e rajonit, si dhe kërkesën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, shkruan Arbresh.info.
Më tej, u diskutua rreth zhvillimeve të fundit, me theks të veçantë në qasjen destruktive të Serbisë në dialog si dhe sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë. U përmend dhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe implikimet për vendet baltike dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, e Kurti ku theksoi se Republika e Kosovës që nga fillimi e ka dënuar fuqishëm agresionin rus.
Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale, u theksua me rëndësi të veçantë dhe fuqizimi i bashkëpunimit përmes intensifikimit të komunikimit dypalësh për iniciativa të ndryshme me qëllim afrimin e dy vendeve tona me njëra tjetrën. Me këtë rast, kryeministri bëri dhe një ftesë për kryeministren e re Evika Silina për vizitë zyrtare në Kosovë.
Bashkëpunimi ynë mbulon sfera të ndryshme, nga fusha e arsimit dhe mbështetja nga “Riga Graduate School of Laë” (RGSL) për studentët nga Kosova, e deri tek fusha e sigurisë ku kryeministri veçoi bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me kontingjentin letonez të KFOR-it.
Kurti vlerësoi rolin e Letonisë në proceset e shtetndërtimit të Kosovës dhe mbështetjen e aspiratave euroatlantike të vendit tonë. Në mesin e tyre, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe procesi i liberalizimit të vizave.
Ambasadorja Kuzma e uroi kryeministrin dhe popullin e Kosovës për reformat dhe progresin e arritur nga vendi ynë, si dhe për liberalizimin e vizave, i cili do të hyjë në fuqi nga data 1 janar./Arbresh.info/
Porsche 911 Carrera S i ri është gati – dhe është më i fuqis...
Nëse keni një iPhone, sigurohuni që të instaloni iOS-in më t...
Fluturimi më i shkurtër në botë që zgjat vetëm një minutë e ...
Kafeja, sekreti për zemër të shëndetshme dhe jetë më të gjat...
Britania përballet me natën më të ftohtë të janarit për 15 v...
Vodhi zinxhir në vlerë prej 500 euro, arrestohet gruaja në P...