Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh të tjera po krijojnë një forcë të re për të mbrojtur anijet e mallrave që kalojnë tranzit në Detin e Kuq, të cilat janë sulmuar nga dronët dhe raketat balistike të lëshuara nga zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen, njoftoi Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin të martën herët në Bahrein.
Serioziteti i sulmeve, disa prej të cilave kanë dëmtuar anijet, ka bërë që kompani të shumta të marrin vendim që anijet e tyre të mos hyjnë në ngushticën Bab el-Mandeb derisa të zgjidhet problemi i sigurisë.
“Kjo është një sfidë ndërkombëtare që kërkon veprim kolektiv”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin në deklaratën e lëshuar pak pas mesnate në Bahrein. “Prandaj sot po shpall themelimin e Operacionit ‘Prosperity Guardian’, një iniciativë e re shumëkombëshe e rëndësishme e sigurisë.”
Britania, Bahreini, Kanadaja, Franca, Italia, Holanda, Norvegjia dhe Spanja do t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara në misionin e ri, njoftoi zoti Austin. Disa nga vendet do të kryejnë patrulla të përbashkëta, ndërsa të tjerat ofrojnë mbështetje në fushën e zbulimi mbi pjesën jugore të Detit të Kuq jugor dhe Gjirin e Adenit.
Disa vende të tjera kanë rënë dakord gjithashtu të përfshihen në operacion, por preferojnë të mos përmenden publikisht, tha një zyrtar i mbrojtjes në kushte anonimiteti.
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar gjithashtu Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ndërmarrë veprime kundër sulmeve ndaj anijeve të mallrave në këtë zonë.
Në një letër drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimi, të cilën e ka parë agjencia e lajmeve Associated Press, ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield tha se sulmet rebelëve Houthi kundër anijeve tregtare, që kalojnë ligjërisht në rrugët ujore ndërkombëtare, vazhdojnë të kërcënojnë “të drejtat dhe lirinë e lundrimit, sigurinë ndërkombëtare detare dhe tregtinë ndërkombëtare”.
15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së diskutuan mbi kërcënimin nga sulmet e forcave të rebelëve Houthi prapa dyerve të mbyllura të hënën, por nuk morën asnjë veprim të menjëhershëm.
Tre luftanije amerikane, ‘USS Carney’, ‘USS Mason’ dhe një luftanije e marinës kanë patrulluar çdo ditë nëpër ngushticën Bab el-Mandeb për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve nga rebelët Houthi.
Vendimi për krijimin e një operacioni të zgjeruar erdhi pasi tre anije tregtare u goditën nga raketat e lëshuara nga luftëtarët e grupit Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen më 3 dhjetor. Këto sulme ishin pjesë e një fushate të përshkallëzuar të dhunës që përfshinte gjithashtu sulme me dronë dhe lloje të tjera armësh kundër luftanijeve amerikane.
Deri më sot, Shtetet e Bashkuara nuk jane përgjigjur me sulme kundër forcave të grupit Houthi në territorin e Jemenit. Të hënën, Sekreatri i Mbrojtjes Lloyd Austin nuk iu përgjigj pyetjes se pse Pentagoni nuk ishte kundërpërgjigjur sulmeve të grupit Houthi./voa/
“Marre se si po duket”, Lela u kërkon banorëve që të pastroj...
Dëshmitari Çadraku: Shumë dokumente që më janë prezantuar ka...
Liverpooli merr një lajm të mirë para ndeshjes me Real Madri...
Hamza fton bashkatdhetarët të investojnë në Kosovë: Së bashk...
Kevini flet me banorët për debatin me Xuxin
Gjermanisë i nevojiten rreth 288.000 punonjës të huaj deri n...