Izraeli vazhdon të çojë përpara ofensivën në Rripin e Gazës, ndonëse vrasja e tri pengjeve, që kanë qenë pa bluza dhe kanë mbajtur flamuj të bardhë, ka rritur pikëpyetjet për qasjen e tij në luftën 10-javëshe, e cila ka rezultuar me numër të madh vdekjesh dhe shkatërrim të enklavës.
Gaza vazhdon të jetë pa qasje në linja të komunikimit për të katërtën ditë me radhë, fakt që, sipas grupeve për ndihmë, i ka komplikuar përpjekjet për shpëtim, dhe për të regjistruar viktimat civile.
Izraeli mund të përballet me presion në rritje për ta ulur shkallën e operacioneve luftarake, kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin të vizitojë vendin këtë javë.
Uashingtoni ka shprehur shqetësim në rritje për numrin e të vrarëve dhe zhvendosjen masive të 1.9 milion palestinezëve – rreth 85 për qind e popullsisë së Gazës – ndonëse ka ofruar ndihmë të madhe ushtarake dhe mbështetje diplomatike për Izraelin, aleatin e tij të ngushtë.
Sulmet ajrore dhe tokësore kanë rrafshuar një pjesë të madhe të veriut të Gazës, dhe kanë shtyrë popullatën drejt jugut të Gazës, zonë ku banorët po jetojnë në kampe të improvizuara.
Izraeli vazhdon të godasë ato që beson se janë shënjestra të militantëve të Hamasit, në gjithë Gazën.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur grup terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, i cili e ka nxitur luftën, më 7 tetor, pas kryrjes së sulmeve në jug të Izraelit, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë mbi 240 pengje.
Rritet zemërimi pas vrasjes së pengjeve
Zyrtarët ushtarakë kanë thënë të shtunën se tri pengjet janë vrarë gabimisht nga ushtarët izraelitë.
Sipas ushtrisë, më vonë është kuptuar që ata kanë dhënë shenja se nuk janë të rrezikshëm.
Kjo është hera e parë që Izraeli e ka pranuar të ketë dëmtuar pengjet në luftën, të cilën thotë se e zhvillon edhe për t’i shpëtuar të gjalla të gjithë pengjet e marra prej Hamasit.
Tri pengjet, tre burra në të 20-at, janë vrarë të premten në qytetin e Gazës, ku kanë qenë duke u zhvilluar luftime të ashpra mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit.
Ushtria ka thënë se është duke e hetuar rastin në nivelin më të lartë.
Izraeli deklaron vazhdimisht se tenton të shmangë dëmtimin e civilëve dhe akuzon Hamasin se i përdor ata si mburoja njerëzore.
Mirëpo palestinezët, dhe grupet për ndihmë, e kanë akuzuar vazhdimisht Izraelin për rrezikim të civilëve dhe vrasje të atyre që nuk përbëjnë rrezik, si në Gazë, ashtu edhe në Bregun Perëndimor, ku është raportuar për rritje të dhunës, qysh prej nisjes së luftës Izrael – Hamas.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 18.700 palestinezë janë vrarë në Gazë, qysh prej nisjes së luftës.
Thirrjet e palestinezëve për ndalje të luftës kanë marrë pak vëmendje brenda Izraelit, ku shumë banorë janë ende të traumatizuar nga sulmet e 7 tetorit, dhe ku mbështetja për luftë vazhdon të jetë e madhe.
Mirëpo zemërimi për vrasjen e tri pengjeve pritet të rrisë presionin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, që të arrijë sërish marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Katari, për shkëmbim të pengjeve të marra nga Hamasi, në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael.
Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë më pengje derisa të ndalet lufta, dhe se do të kërkojë lirimin e një numri të madh të të burgosurve palestinezë, përfshirë militantë të profilit të lartë.
Hamasi i ka liruar më shumë se 100 prej 240 pengjeve të marra, më 7 tetor, në këmbim të lirimit të palestinezëve.
Në këtë marrëveshje, të arritur në nëntor, janë këmbyer kryesisht gra dhe fëmijë.
Ndasitë SHBA-Izrael
Austin pritet të udhëzojë në Izrael për të vazhduar diskutimet për dhënie fund të fazës intensive të luftës.
Zyrtarët amerikanë dhe ata izraelitë kanë biseduar për zhvendosje të luftës prej sulmeve intensive në sulme të shënjestruara, me qëllim të vrasjes së liderëve të Hamasit dhe shpëtim të pengjeve, por pa përmendur afate kohore.
Mirëpo, dy palët janë të ndara rreth asaj se kush duhet ta udhëheqë Gazën pas luftës.
Uashingtoni dëshiron një qeveri palestineze të unifikuar në Gazë dhe Bregun Perëndimor, si hap të parë drejt formimit të shtetit palestinez.
Zgjidhja me dy shtete gëzon mbështetje të gjerë prej komunitetit ndërkombëtar, sepse shihet si mënyra e vetme për të zgjidhur konfliktin e zvarritur me dekada.
Autoriteti Palestinez – i njohur ndërkombëtarisht – i cili nuk gëzon mbështetje të madhe të palestinezëve – ka thënë se do të mund të rikthehet në Gazë, vetëm si pjesë e një zgjidhjeje që krijon shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jerusalemin Lindor, territore që Izraeli i ka pushtuar në luftën e vitit 1967.
Qeveria e Netanyahut, e cila refuzon ashpër shtetësinë palestineze, e hedh poshtë atë skenar, duke thënë se do të rikthejë kontrollin mbi Gazë, pas mposhtjes së Hamasit.
Netanyahu, po ashtu, kundërshton secilën tërheqje prej Jerusalemit Lindor, të cilin Izraeli e ka aneksuar, por nuk është njohur ligjërisht, apo nga Bregu Perëndimor, ku janë ndërtuar mbi 500.000 vendbanime për hebrenjtë, dhe aktualisht jetojnë rreth 3 milionë palestinezë.
Hamasi, i cili është zotuar për shkatërrim të Izraelit, ka thënë se sulmi i 7 tetorit ka qenë përgjigje për veprimet e Izraelit në tri territoret.
Netanyahu ka thënë të shtunën se është “krenar që ka parandaluar themelimin e shtetit palestinez” gjatë rreth 16 vjetëve të tij të pushtet, duke nisur prej viteve të ’90./rel
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?