Google ADS

Berisha nga Gjirokastra: Ky është një moment kthese vendimtare, do të ngrihemi në mosbindje civile

18:44 | 16 Dhjetor 2023
R J

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me mbështetësit e tij në Gjirokastër, u shpreh se ndër të tjera se ky është një moment kthese vendimtare.

Ai u shpreh se “do ngrihemi në një mosbindje civile dhe do të rrëzojmë këtë armik të egër”.

“PD ka qenë dhe mbetet parti e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Mbetet parti e interesit kombëtar, e shtetit ligjor dhe orientimit të saj euroatlantik. Në këtë aspekt nuk ka asnjë kthesë, por kthesa e madhe që kërkohet sot nga ne, nga çdo demokrat, është qëndrimi që duhet të mbajmë ne për realizimin, për garantimin e këtyre parimeve”, tha Berisha.

Kthesa që kërkohet nga ne, tha Berisha, ka të bëjë me misionin e ri që duhet të marrë përsipër PD, të përmbysë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, atë që erdhi me termin rilindje në vitin 2013 dhe u vërtetua si një revansh primitiv hakmarrës ndaj demokracisë dhe përfundoi në një diktaturë bande, në një diktaturë krimi, në një diktaturë të shpërbërjes së arritjeve tona.

Sipas tij, ky është një moment kur Shqipëria sundohet nga një regjim, në të cilin krimi me lidhjet e tij gjer te kryeministri, në të cilin kartelet e drogës, nga Sinaloa e Meksikës, e udhëhequr nga dy shqiptarë, tek ato të Kolumbisë, Ekuadorit dhe Shqipërisë, kanë lidhje me zyrën e kryeministrit.

“Mblidhemi në një kohë kur krimi dhe bandat kanë caktuar ministër të rendit, eksponentin kryesor të tyre. Mblidhemi sot në një moment kur krimi vendos kudo, jo vetëm me këto lidhje, por edhe me grykën e revoles, në rrugë dhe në qelitë e burgjeve me sigurinë më të lartë”, tha ai.

Duke folur për historinë e qeverisjes së PD-së, Berisha nënvizoi se, “ne dorëzuam pushtetin me votën e lirë dhe ne mbetemi dhe do jemi të betuar, të gatshëm për të paguar çdo çmim për votën e lirë të shqiptarëve.

Berisha i bëri thirrje demokratëve për të mbështetur , që sikurse u shpreh ai, ndaj dhe sot lypset kthesa. Sot pritet vendimi ynë.

“Ne u premtuam shqiptarëve se do mbrojmë votën tuaj dhe ne kemi qenë shumë seriozë në këtë premtim. Natyrisht mbase ka pasur keqkuptim, mbase është kuptuar se ne ditën e zgjedhjeve do rrëmbejmë armët për të mos lejuar grabitjen. Jo, nuk ishte ajo kuptimi i zotimit tonë. Kuptimi i zotimit tonë ishte se ne do verifikojmë çdo vjedhje dhe se ne hajdutit nuk do ia falim kurrë votën. Ky ishte kuptimi i atij zotimi. Ndaj dhe ne e kemi detyrim premtimin që u dhamë shqiptarëve që do mbrojmë votën tuaj. Ndaj sot jemi në sheshin e betejës për t’i thënë hajdutit se ti votën e vjedhur nuk do e gëzosh kurrë”, përfundoi ish-Kryeministri Berisha./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme