Ashtu si moslejimi i zhvillimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nga data 16 dhjetor nuk lejohet as përdorimi i targave të veturave të serbëve të Kosovës të lëshuara nga zyrat paralele serbe.
15 dhjetori ishte vendosur si dita e fundit e një afati të vënë nga qeveria e Kosovës, kur qytetarët serbë do të mund të regjistronin makinat e tyre me tabela të Republikës së Kosovës, RKS. Nga data 16 dhjetor veturat që mbajnë targa me iniciale të qyteteve të Kosovës, targa të lëshuara nga zyrat paralele serbe, si KM, PR, PZ, DE, UR, do të konsiderohen ilegale nga autoritet kosovare. Zyrtarë të Ministrisë e Punëve të Brendshme, thonë se për bartësit e targave ilegale të veturave, pas datës 15 dhjetor, do të pasojnë fillimisht gjobat dhe më pas nëse ato hasen sërish në rrugë, do të konfiskohen makinat. “Pas datës 15 dhjetor, qytetarët, të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi”, ka thënë zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.
Qeveria e Kosovës, fillimisht e kishte caktuar datën 01.12, për konvertimin e targave të serbëve, por, e shtyu afatin deri më 15 dhjetor, pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim në veri të Kosovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë serbë kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe komunat me numrin më të madh janë Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi. Që nga viti i shkuar janë gjithsej 4.210 konvertime të tabelave në RKS.
Qeveria e Kosovës: Vendosja e ligjshmërisë
Sipas Qeverisë së Kosovës, i tërë ky proces ka për qëllim të vendosjes së ligjshmërisë në veri të Kosovës, duke pamundësuar kështu funksionimin e strukturave paralele serbe në Kosovë, ndonëse disa nga ato akoma funksionojnë. Si vendosje e ligjshmërisë shihet edhe vendimi i qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Me 17 dhjetor në Serbi mbahen zgjedhjet parlamentare, të tretat me radhë vetëm brenda tre vjet e gjysmë.
Serbia i drejtohet OSBE jo qeverisë kosovare
Autoritetet e Serbisë më parë i kërkuan misionit të OSBE-së në Kosovë, por jo Prishtinës zyrtare, që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. E pikërisht pse kërkesa serbe ju drejtua OSBE-së e jo Prishtinës për ta shqyrtuar atë, bëri që qeveria e Kosovës pa asnjë hezitim të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryengociator në dialog me Serbinë, thotë se “tentimi për të organizuar zgjedhje të një shteti tjetër në Kosovë pa një kërkesë paraprake, nuk është në frymën e dialogut dhe pa një kërkesë zyrtare direkte nga Serbia, atëherë s’mund të ketë vendim”.
“Nuk janë planifikuar zgjedhje këtë vit në shtetin tonë. Nëse autoritetet e shteteve të tjera preferojnë të organizojnë zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, atëherë, duhet që zyrtarisht t’i kërkojnë autoriteteve tona një vendim pozitiv dhe përkrahje. Tentimi për të organizuar zgjedhje pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk i kontribuojnë ndërtimit të besimit”, ka thënë Besnik Bislimi.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, patën konsideruar se vendimi i Prishtinës për “të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nuk është në përputhje me frymën e dialogut dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja i pati rekomanduar Kosovës që të rifillojë praktika për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë brenda vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare. “Si rezultat, votuesit serbë do të duhet të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 dhjetorit. Ky vendim, nuk është në përputhje me frymën e Dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo shumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, pati thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano. Serbët e Kosovës që kanë dy shtetësi, do të mund të votojnë për zgjedhjet në Serbi edhe nga Kosova, por vetëm përmes postës, apo Zyrës Ndërlidhëse serbe në Kosovë.
Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë, njoftoi se më 17 dhjetor, serbët nga Kosova mund ta ushtrojnë të drejtën e votës edhe në qytetet kufitare të Serbisë, Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin. Në zgjedhjet e fundit në Serbi, në prill të vitit të kaluar, të drejtë vote kishin mbi 93 mijë qytetarë nga komunat e Kosovës. Por tash sipas të dhënave nga Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, kësaj radhe ka gati mbi 30.000 votues më shumë, përkatësisht mbi 120 mijë. Në të kaluarën zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur edhe në Kosovë ku përfshihej misioni i OSBE-së në grumbullimin e votave të cilat më pas janë dërguar për numërim në Serbi. Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës më herët. Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur se megjithatë, ai mbetet i gatshëm të mbështesë mbledhjen e votave, ashtu sikurse ka vepruar edhe në rastet e mëparshme.
Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020. Këto zgjedhje ishin mbajtur që nga viti 2017, ku në Kosovë hapeshin qendra votimi për serbët që ndihmoheshin nga OSBE-ja. Por, kësaj radhe serbët e Kosovës që kanë dyshtetësi, mund të votojnë për zgjedhjet në Serbi, por, vetëm përmes Zyrës Ndërlidhëse Serbe në Kosovë, apo përmes postës. Me 1 nëntor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, zgjedhje këto të tretat me radhë në Serbi vetëm në tre vjet e gjysmë. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ndodh në një periudhë kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar po bën përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian./DW
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...