Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të takohet ditën e sotme në Romë me homologen italiane Georgia Melonin dhe kryeministrin britanik Rishi Sunak, me të cilët do të diskutojë çështjen e emigrantëve.
Takimi trilateral do të përqendrohet në emigracionin e paligjshëm, të emigrantëve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe dhe atyre që vijnë nga vendet e Afrikës që vijnë për në Evropë përmes Italisë dhe që Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për pritjen e tyre.
Sa i përket emigrantëve shqiptarë, ambasadori britanik në Shqipëri Alastair King-Smith në një intervistë konfirmoi se emigrantët shqiptarë që hynë në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe do të dërgohen në Ruanda.
“Nuk do të ketë dallime nga kombësia. Çdo kombësi mund të përfundojë duke shkuar në Ruandë nëse i plotëson kriteret për atë skemë, kështu që mund të përfshihen edhe shqiptarët në të”, u shpreh ai në emisionin “Pa Censurë” të Elona Meços.
Ndërkaq, lidhur me pritjen në Shqipëri të emigrantëve që vijnë nga vendet e Afrikës dhe ngritjen e qendrave të strehimit për ta në Lezhë, kryeministrja italiane, Georgia Meloni është shprehur optimiste për zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar ratifikimin e saj.
Duke folur në samitin për Ballkanin Perëndimor në Bruksel, Meloni shpjegoi se parashikohet që Shqipëria të ngrejë dy qendra italiane për menaxhimin e emigrantëve në territorin e saj. Ndërsa theksoi se i respekton vendimet e institucionet të drejtësisë shqiptare.
“Jam optimiste se nuk ekziston rreziku i dështimit të marrëveshjes me Shqipërinë për Qendrat e Riatdhesimit (CPR)”, deklaroi Meloni, ndërsa shtoi se “respektoj vendimet e një kombi sovran”, duke iu referuar qëndrimeve të ndryshme që janë shprehur në Shqipëri pasi Partia Demokratike e dërgoi këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ana e saj, Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin e marrëveshjes pak ditë më parë pas dy ankesave të Partisë Demokratike të cilat nënvizonin antikushtetutshmërinë e kësaj marrëveshjeje.
Gjithashtu edhe Bashkimi Evropian ka shpjeguar se marrëveshja midis dy vendeve është jashtë ligjit evropian.
Megjithatë, kryeministrja italiane Georgia Meloni beson se nuk do të ketë nevojë për një plan B për sa kohë është një marrëveshje me Shqipërinë për të cilin ajo shprehet besimplotë se do të realizohet.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme dhe nëse gjithçka shkon mirë, ne do të bëjmë çmos në javët e ardhshme që ta përshpejtuar edhe më tej. Tani për tani nuk kemi nevojë për një plan B, por do të kërkojmë një të tillë nëse është e nevojshme”, shpjegoi Meloni.
Pas takimit me kryeministren Melonin dhe atë britanik, Rishi Sunak, kreu i qeverisë shqiptare pritet të takohet në një tjetër format me miliarderin Elon Musk. Rama dhe Musk pritet të takohen në festën ‘mistike’ të organizuar nga partia e kryeministres së Italisë Giogia Meloni, festë e cila zgjat 4 ditë nga 14 dhjetori në 17 dhjetor.
Në këtë festë është i ftuar edhe miliarderi Elon Musk dhe personalitete të ndryshme të politikës botërore./rtsh.al/
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...